Gjermania po përgatitet për një recesion të zgjatur gjatë gjithë vitit- e vetmja ekonomi e madhe në Europë që pritet të ketë një tkurrje, sipas parashikimeve të Komisionit Europian, ekzekutivi i BE-së.
Ekonomia më e madhe e kontinentit pritet të bie me 0.4% këtë vit. KE uli edhe pritshmëritë e vitit 2024 nga 1.4% rritje ekonomike në 1.1%.
Gjermania ka vuajtur pushtimin rus në Ukrainë, me Berlinin që duhej të merrte vendimin e shkëputjes së varësisë nga energjia ruse. FMN tha se ekonomia gjermane do të bie me 0.3% këtë vit.
Ekonomistët më të mirë kaë rikthyer termin historik për Gjermaninë duke e quajtur përsëri si “pacienti i Europës”.
Koncepti lindi në vitin 1998 kur Gjermania u përball me sfida të thella ekonomike. Por tani është duke u rishfaqur pasi Berlini regjistroi rënie të thellë të prodhimit. Të dhënat e publikuara në fillim të shtatorit treguan se aktiviteti prodhues në vend ra me ritmin e tij më të fortë që nga qershori 2009, duke përjashtuar periudhën e pandemisë Covid-19.
Megjithatë, ekonomistë të tjerë nuk pajtohen se problemet aktuale të Gjermanisë mund të krahasohen me rëniet e mëparshme.
“Situata e Gjermanisë sot ndryshon në mënyrë thelbësore nga telashet e viteve 1995-2004. Së pari, Gjermania gëzon punësim rekord, kërkesë të lartë për punë dhe pozitën më të rehatshme fiskale nga të gjitha ekonomitë kryesore të përparuara. Kjo e bën shumë më të lehtë përshtatjen ndaj goditjeve, “tha Holger Schmieding, kryeekonomist në Berenberg, në një shënim në gusht.
Ngadalësimi në të gjithë Europën
Parashikimet e fundit ekonomike tregojnë për një ngadalësim të përgjithshëm në të gjithë rajonin. 27 ekonomitë e BE-së tani pritet të rriten me një ritëm mesatar prej 0.8% këtë vit. Kjo është më pak nga vlerësimi prej 1% i bërë në maj.
Vitin e ardhshëm, panorama është gjithashtu më e dobët se sa ishte parashikuar më parë. BE-ja pritet të rritet me 1.4% në vend të vlerësimit të majit prej 1.7%.
“Dobësia në kërkesën e brendshme, në veçanti konsumi, tregon se çmimet e larta dhe ende në rritje të konsumit për shumicën e mallrave dhe shërbimeve po sjellin një taksë më të rëndë se sa pritej”, tha Komisioni Europian në një deklaratë të hënën.
Inflacioni i lartë vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore në bllok. Parashikimet e fundit tregojnë se çmimet e konsumit do të ulen në muajt në vijim, por ato ende ka të ngjarë të jenë mbi objektivin e Bankës Qendrore Evropiane prej 2% deri në fund të 2024.
Inflacioni total në zonën e euros, ku 20 vende të BE ndajnë të njëjtën monedhë, shihet në 5.6% në 2023 dhe më pas në 2.9% në fund të 2024.
“Inflacioni në shërbime deri më tani ka qenë më këmbëngulës sesa pritej më parë, por ai do të vazhdojë të zbutet pasi kërkesa zbutet nën ndikimin e shtrëngimit të politikës monetare dhe një rritjeje të zbehtë pas COVID-it”, tha komisioni.
Ai paralajmëroi se presionet e çmimeve mund të zvarriten për më gjatë. BQE do të mblidhet të enjten dhe do të njoftojë nëse do të rrisë sërish normat e interesit. Që nga korriku 2022, banka qendrore ka rritur normat me 4.25 pikë përqindjeje në një përpjekje për të ulur inflacionin historikisht të lartë në rajon. /CNBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



