Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar sot, 29 qershor, në lidhje me masat e paralajmëruara nga Bashkimi Europian kundër Kosovës.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka konfirmuar se kundër Kosovës është prezantuar një pako masash ndëshkuese por theksoi se Kosova mbetet aleate e sinqertë e BE-së.
“BE-ja te Kosova gjen partnerin dhe aleatin e saj me të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave europianeve, parimeve demokratike dhe interesave afatgjatë. Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin. Së pari popullin e pastaj Qeverinë.
Me raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Europian por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar. Nuk jemi as sot. Kur në dhjetor të vitit të kaluar dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim, atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të jemi pjesë e këtij unioni, sepse besojmë në këtë union, të njëjtin besim e kemi edhe sot”, deklaroi ai.
Kurti shtoi se raporti i fundit i hartuar nga KE-ja e përshkruan Kosovën në dritën më pozitive në rajon si në luftën kundër krimit e korrupsionit, si në demokratizim, zhvillim ekonomik, ashtu edhe në avancim të kornizës ligjore në përputhje me BE-në.
Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Europian, Jan Koopman ka bërë të ditur se Bashkimi Europian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




