Kryeministri Edi Rama mendon se pas vendimit të 18 tetorit të Këshillit Europian, që nuk hapi negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe ku u harrua premtimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, angazhimi i përforcuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është më shumë se i domosdoshëm.
“Që pas vendimit të Këshillit Europian në 18 tetor, pozicioni i BE në konfliktin me Serbinë dhe Kosovën është dobësuar dhe kapaciteti është tkurrur tej mase, sepse BE me vendimin e marrë i dha një goditje jo të vogël besueshmërisë së vet dhe do të jetë e vështirë për të dyja palët në procesin e dialogut që të besojnë në mundësinë e incentivave që mund të deklarohen, por që mund të mos mbahen. Po bëhen disa herë që BE nuk mban fjalën dhe në rastin e Kosovës besoj që kemi një nga shembujt më flagrantë të mungesës së kapacitetit për të mbajtur fjalën”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli në Konferencën Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor. Ai e cilësoi pengmarrje të qytetarëve të Kosovës mosliberalizimin e vizave dhe dështim i Bashkimit Europian.
Ndërkohë, vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmërojnë vendet e Ballkanit se rrezikojnë vazhdimisht që të përdoren nga Rusia, Kina dhe Irani për qëllimet dhe agjendën e këtyre vendeve.
Në të njëjtën konferencë, zv.ambasadorja e SHBA, Leyla Moses-Ones vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë, që e cilësoi parimor dhe të palëkundur në drejtimin e vet perëndimor.
“Për Rusinë, Kinën dhe Iranin, Ballkani është vetëm një mjet për të arritur qëllimet e tyre dhe më pas për ta flakur tej. Kina përmes forcës ekonomike po synon gjymtimin e lirisë ekonomike dhe politike, ndërsa Irani destabilizimin”, deklaroi diplomatja amerikane në Tiranë.
Leyla Moses-Ones vlerësoi gjithashtu edhe angazhimin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s. Ajo tha se vendi ynë ka përmbushur zotimet e ndërmarra në Samitin e NATO-s në Uells dhe një prej vendeve që kontribuon më shumë me trupa në raport me popullsinë në misionet e Aleancës.
Edhe analisti dhe njohësi i mirë i çështjeve ballkanike, Daniel Server e vuri theksin tek fakti që SHBA dhe interesat e saj në rajon nuk janë më të pakonkurrueshme, ashtu siç ishin në vitet ’90-të.
“Bota unipolare që solli SHBA në vitet ‘90 në Ballkan përfundoi. Rusia rigjallëroi ushtrinë dhe riktheu statusin e superfuqisë ushtarake përmes ndërhyrjes me ushtri në Siri dhe ndërhyrjeve joushtarake në Ballkan dhe vende të tjera. Brexit dhe përplasjet brenda BE-së kanë ndryshuar parametrat bazë të gjeopolitikës sot. Rusia, Kina, Turqia dhe të tjerë po ofrojnë një kompromis ekonomiko-politik alternativ. Liderët e tyre po ofrojnë rritje ekonomike të sponsorizuar nga shteti autokratik dhe këtë model kërkojnë ta përhapin edhe në Ballkan. Rritja ekonomike e ngadaltë në Europë nuk ndihmon. Ballkani begaton vetëm kur BE begaton”, deklaroi Server.
Analisti kujtoi peripecitë e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në NATO.
“Fqinjët tuaj po hasin pengesa shumë të mëdha nga Rusia për të mos u anëtarësuar në NATO. Moska ka paraqitur në Ballkan keqinformim, propagandë për të trazuar, Kina si në kohën e Enver Hoxhës po ofron financime për infrastrukturën. Personalisht shoh shumë të mira tek projektet e Kinës, por Kina po financon projekte që janë në shërbim të Kinës, e që rëndohen me terma financiarë. Turqia është gjithashtu koloniale në Ballkan dhe luan rol të rëndësishëm në rajon. Erdogan ka ndryshuar drejt autokratizmit. Ndërhyrjet e tij në Ballkan po minojnë demokracitë e brishta këtu”, vijoi ai.
Server e sheh si zhvillim pozitiv fitoren e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike në Kosovë. Ai mendon se dy partitë që u rritën paqësisht do të zëvendësojnë krahun e luftës dhe do t’i japin një tjetër hov shtetndërtimit të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.