Politike

Paralajmërimi i Ballës për reformat, Berisha: Taos ia japim përgjigjen me 24 janar

Nga Gazeta ‘Si’-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet lidhur me paralajmërimin e kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla, për marrëveshjet PS-PD për reformat, duke deklaruar se nëse opozita do të prishë dakordësinë e arritur, maxhoranca do të vijojnë punën edhe pa ta.

Teksa e cilësoi Taulant Ballën si “Tao i krimit dhe Edi Ramës”, Berisha tha se atij përgjigjen do t’ia japin shqiptarët më 24 janar, në protestën e thirrur nga PD.

“Asnjë përgjigje përveç asaj që do i japin shqiptarët më 24 janar Taos së famshëm të krimit dhe Edi Ramës. Ata kanë aneksuar parlamentin dhe qytetarët shqiptarë do të thonë fjalën e tyre, kjo është përgjigja ime.

Berisha gjithashtu denoncoi projektin “Smart City” të qeverisë socialiste.

“Ky përbën asgjësimin e plotë të privacisë së tyre, pasi ky sistem regjistron jo vetëm individin, por dhe fytyrën me të gjithë emotivitetin e saj të individit. Lëvizjet e tij në çdo destinacion. Vizitat e tij tek miqtë, tek të afërmit, tek shokët. Privacinë e tij në lokale dhe kudo që shkon. Kjo është vendosja e qytetarëve shqiptarë në kontroll të plotë, automjeteve të tyre, lëvizjeve të tyre. Dhe në këtë aspekt, aq sa të dhënat e një individi janë private, ato bëhen shtetërore.

Aq sa të dhënat e një shoqërie janë shtetërore, ato eksportohen në duart e kujtdo. Tani çdo organizatë kriminale nuk ka më nevojë përveçse të fusë kthetrat në kamera dhe të marrë vesh se ku e ka gjahun e vet për ta marrë peng, për ta vrarë, për ta ekzekutuar, etj, etj”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri shtoi se përpos shqetësimeve për shkeljen e privatësisë së qytetarëve, ky projekt ishte sipas tij gjithashtu korruptiv.

Pasi sipas tij, kostot që janë parashikuar për blerjen e pajisjeve janë të fryra deri në 30-fishin e çmimeve të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë