Para

Paraja në qarkullim pati rritje minimale gjatë tetorit

Nga Gazeta ‘SI’ – Sasia e parasë në qarkullim po rritet tepër ngadalë muajt e fundit, si shkak i një sërë faktorësh makroekonomikë.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në tetor 2023, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me vetëm 800 mln lekë gjatë tetorit, duke qëndruar po në kufijtë e 741 mld lekëve.

Agregati M2 (M1 bashkë me depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) është rritur me rreth 2 mld lekë duke shkuar në 937 mld lekë.

Agregati M3 (paraja e gjerë përfshin M2 plus depozitat në valutë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) ka pësuar një rënie me rreth 100 mln lekë, duke u ulur në 1.673 mld lekë në tetor. Ky tregues është 16 mld lekë më i lartë se një vit më parë, por krahasuar me janarin 2023, “mungojnë” rreth 10 mld lekë.

Rënia e këtyre treguesve lidhet me zhvlerësimin e valutave dhe raportimin në lekë, duke rezultuar në një shifër më të ulët të raportuar. Disa herë gjatë vitit, këto tregues kanë shënuar edhe rënie.

Po ashtu, një faktor shumë i rëndësishëm i ofertës monetare në vend është qarkullimi i parasë nga ana e qeverisë. Mbajtja stok e më shumi se 45 mld lekësh nga qeveria për shpenzime që nuk janë kryer, do të thotë mungesë në treg e këtyre parave.

Vetë Banka e Shqipërisë, sa herë injekton lekë në treg, përcakton sasinë e nevojshme sipas shpenzimeve që bën qeveria, që zakonisht përgjatë vitit është tepër e ulët. Nga ana tjetër, edhe paraja që qarkullon jashtë sistemit ka rënë, ku në tetor raportohen rreth 5 mld lekë më pakë, në total 405.5 mld lekë.

Në një analizë të mëparshme, Gazetasi.al tregoi se si kryerja e shpenzimeve kapitale nag qeveria në kohën e duhur, përveç se do të rriste ofertën monetare në vend, do të mbronte dhe euron, e cila nuk do të zhvlerësoj aq shumë përballë lekut. Një ofertë monetare e ulët do të thotë një zhvlerësim i mëtejshëm i valutave në kursin vendas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë