Nga Gazeta ‘SI’ – Rreth 467.4 miliardë lekë qarkullojnë aktualisht në Shqipëri jashtë sistemit bankar. Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, që i referohen muajit nëntor, tregojnë një rritje të parasë cash, pavarësisht përpjekjeve institucionale për ta frenuar përdorimin e saj. Në një muaj është shtuar me 4 mld lekë.
Ulja e parasë së thatë është një nga shtyllat kryesore të qeverisë “Rama 4”. Në këtë kuadër, Paketa Fiskale e sapomiratuar vendos një kufi për pagesat cash: deri në 500 mijë lekë për individët dhe 150 mijë lekë për bizneset. Kufiri u kundërshtua nga institucionet financiare, duke thënë se në fakt, një tavan kaq i lartë e stimulon cash-in dhe jo e zhduk atë. shoqata e bankave kërkon një kufi rreth 600 euro ose 60 mijë lekë.
Vetë kryeministri Edi Rama pushtoi mediat botërore kur shprehu ambicien e tij për një ekonomi “cashless” – pa para të thata.
Indeksi europian, që mat përhapjen e parasë së thatë në botë, Shqipëria renditej ën vendin e katërt nga 100 shtete, me një përdorim të cash-it në masën 90%.
Banka raporton se edhe agregatët e tjerë kanë pasur luhatje.
M3 që njihet si paraja e gjerë ra në 1.9 trilionë lekë, nga 1.92 trilionë lekë që ishte në muajin tetor.
Sipas shifrave të BSH-së, në nëntor 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është shtuar me rreth 5 mld lekë nga tetor dhe raportohet 935 mld lekë.
Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 7 miliardë lekë brenda një muaji duke prekur vlerën e 1.158trilion lekëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




