Nga Gazeta ‘SI’ – Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka arritur në një rekord të ri.
Banka e Shqipërisë raporton se gjatë muajit nëntor ky tregues ishte 405.8 mld lekë, me një rritje prej 2 mld lekësh nga tetori.
Matur me nëntorin 2023, rritja është edhe më e fortë, 14 mld lekë.
Me rritje raportohen dhe treguesit e tjerë të agregatëve monetarë.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në nëntor 2024, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me rreth 10 mld lekë nga tetori dhe raportohet 805 mld lekë.
Agregati M2 (M1 bashkë me depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) është rritur me rreth 6 mld lekë nga tetori duke shkuar në 1.1 mijë mld lekë.
Agregati M3 (paraja e gjerë përfshin M2 plus depozitat në valutë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) ka pësuar një rritje me rreth 20 mld lekë nga tetori. Në tetor 2024 raportohet 1.742 mld lekë.
Paraja cash po shqetëson edhe institucionet në vend të cilat po tentojnë ta reduktojnë atë. Banka e Shqipërisë bashkë me qeverinë planifikojnë të vendosin një kufi për paranë cash midis individëve, por edhe midis individëve dhe biznesit. Në kuadër të kësaj mase, qeveria dhe BSH do të ulin tarifat e përdorimit të kartave, për të inkurajuar kështu pagesat në terminalet POS dhe ato online.
Më herët gjatë vitit, në një senacë raportimi në Kuvend, Guvernatori Gent Sejko u shpreh i shqetësuar për masën e parasë së thatë që lëviz në Shqipëri, . Ai tha se flukset e mëdha të cash-it janë të papërballueshme nga Banka e Shqipërisë, edhe nëse ndërhyn në treg, pasi janë miliarda lekë, efekti i të cilave nuk mund të amortizohet dot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.