Treg

Paradoksi/ Porositë për apartamente të reja bien, ndërtimet shtohen

Banka e Shqipërisë raportoi se në muajin dhjetor, kontratë-porositë për apartamente dhe ambiente të reja ndërtimi ranë me 37.1 për qind, duke vijuar trendin zbritës të tyre që vijon prej të paktën 2018-s, por i theksuar sidomos pas shpërthimit të pandemisë në pranverë të 2020-s.

Rënia është e treta më e madhe në 9 muajt e 2021, nga prilli deri në dhjetor. Rekordi i kësaj periudhe, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë mbahet nga muaji qershor me 41.1 për qind. Kontratë-porositë janë kërkesat e tregut për pallate, apo ndërtesa të reja, që nënshkruhen mes palës blerëse dhe ndërtuesve para, ose në fazën fillestare të ndërtimit të objekteve.

Kërkesë-porositë ndodhen në terrene negative prej të paktën katër vitesh tashmë, duke thelluar paradoksin e këtij tregu, ku megjithëse kërkesat për ndërtime të reja kanë rënë, numri i lejeve dhe sipërfaqja e re ndërtimore, së bashku me çmimet është rritur.

Megjithatë, në raportin e vrojtimit të tregut të pasurive të paluajtshme për gjashtëmujorin e parë të 2021, Banka e Shqipërisë thotë se koha e shitjes së ndërtimeve të reja në Tiranë dhe bregdet është ulur, ndërkohë që është rritur në të gjitha pjesët e tjera të vendit.

Tirana dhe zonat bregdetare mbeten zonat e preferuara nga ndërtuesit. Në Tiranë, sipas të dhënave të INSTAT, sipëfaqja e lejeve të ndërtimit u rrit në 2021 me rreth 65 për qind në krahasim me 2020, duke shkuar në mbi 1.2 milionë metër/katrorë. Vlera e këtyre ndërtimeve të reja në 2021 tejkaloi 400 milionë eurot.

Përveç rritjes së lejeve dhe sipërfaqes së ndërtimit vijon edhe rritja e çmimeve. Sipas Bankës së Shqipërisë rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin 2020 ishte 11.3 për qind dhe për 5 vitet e fundit, mbi 30% rritje. Dyshifror parashikohet që të jetë rritja e tyre edhe në 2021.

Mes arsyeve të rritjes së këtyre çmimeve, ndërtuesit renditen vitin e kaluar edhe shtrenjtimin e materialeve të ndërtimit në tregjet ndërkombëtare, megjithëse të dhënat zyrtare të INSTAT për këto lënë tregojnë se nuk ka pasur një shtrenjtim të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë