Që Superliga Shqiptare është kompeticioni i çudirave, kjo gjë tashmë dihet prej kohësh. Por këtë herë klubi i Kukësit, që është në luftë për titullin kampion këtë sezon, e ka kaluar çdo limit të fantazisë. Sërish klubi verilindor i ka habitur të gjithë me një vendim administrativ që ka të bëjë me çmimin e biletave për në stadium.
Në javën e fundit të Superligës, përveç gjithë të tjerave një nga temat më të diskutuara ishte dhe çmimi i biletave në kryendeshjen, Kukësi – Partizani. Për të ndjekur sfidën e zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës, çmimi më i ultë i një bilete ishte 1 mijë lekë të reja. Një çmim i tillë rrallë ishte parë në ndeshjet e Superligës Shqiptare, ku stadiumet mbushen me shumë vështirësi edhe kur hyrja është falas, ose edhe me çmime simbolike prej 100 ose 200 lekë të reja. Por gjithsesi presidenti i Kukësit, Safet Gjici dhe strukturat e klubit verilindor u justifikuan për këtë çmim me faktin se për të luajtur në stadiumin e Shkodrës duhen paguar tarifa të larta.
Deri në këtë moment përveç çmimit të lartë, çdo gjë është në rregull. Por çudia e madhe ka ndodhur këtë të hënë në profilin zyrtar të Kukësit. Në postimin e zakonshëm para ndeshjes, klubi i Kukësit njofton se për ndeshjen e ardhshme me Teutën, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, skuadra e Kukësit mund të ndiqet nga tifozët, falas. Pra nga një kosto e lartë në “Loro Boriçi” që e çoi çmimin e biletave në 10 mijë lekë të vjetra, Kukësi shkon në një kosto zero në ndeshjen e “Elbasan Arena”. Kundërshtarët janë pak a shumë të të njëjtit profil dhe me nivele të përafërta.
Ndoshta ka të bëjë me kompeticionin, ose edhe me numrin e tifozëve që Partizani ka në transfertë, por gjithsesi këto janë hipoteza, pasi arsyen e vërtetë të kësaj sjellje nga klubi i Kukësit vetëm drejtuesit e tij e dinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.






