Nga Gazeta Si- Në Paradën e Shqiptarëve në Tiranë morën pjesë sot mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, në kuadër të 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“Parada e Shqiptarëve” nisi nga sheshi “Nënë Tereza” dhe përshkroi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”, ku u zhvillua ngritja e flamurit shqiptar dhe më pas u hodhën dhe tollumbace kuqezi në qiell.
Në vitin e dytë të organizimit, shqiptarët nga e gjithë bota të veshur kuq e zi dhe me veshje popullore mbushën sot rrugët e Tiranës. Nën ritmin e muzikës shqiptare pjesëmarrësit krijuan një atmosferë festive.
Të pranishëm në paradë ishin mbi 350 grupe artistike dhe pjesë e paradës ishin përfaqësues nga 150 qytete, delegacione nga bashki dhe komuna shqiptare, bashkë me ansamblet e tyre.
Njëri nga organizatorët e Paradës së Shqiptarëve, Marko Kepi, u shpreh sot se ndihet shumë krenar që kanë ardhur shumë shqiptarë nga Amerika në Tiranë për 112-vjetorin e Pavarësisë.
Në një prononcim për mediet, Kepi theksoi se janë këtu për të shpallur vlerat dhe për t’i treguar të gjithë botës se shqiptarët janë të bashkuar.
“Sot jemi shumë krenarë, kemi sjellë të gjithë këta bukuroshë nga Amerika, shumë prej tyre mezi kanë pritur të vijnë sërish. Jemi këtu të shpallim vlerat tona dhe t’i tregojmë të gjithë botës se shqiptarët janë të bashkuar”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.