Kosova

Paraburgim për tre policët; Serbia dyshon në ‘posedim të paligjshëm armësh’

Tre policët e Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, janë lënë në paraburgim.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.

Sipas njoftimit, tre policët dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Tani për tani nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.

Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

Tre policët u morën të premten në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë