Politike

Para tubimit të Metës, Yuri Kim takon Bashën

Ambasadorja Amerikane në Tiranë ka zhvilluar një takim të gjatë me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Takimi mes Yuri Kim-Basha është zhvilluar pak orë para tubimit të thirrur nga Presidenti Ilir Meta, ku Lulzim Basha ka konfirmuar pjesëmarrjen si qytetar.

Në përfundim të bisedës, që ka zgjatur rreth 2 orë, Basha deklaroi shkurtimisht se kishte zhvilluar një “diskutim të shumë të mirë me miken tonë dhe përfaqësuesen e SHBA në vendin tonë”, duke shmangur detajet e mëtejshme.

Vetë Ambasadorja Kim nuk ka komentuar bisedën, e dyta mes saj dhe Lulzim Bashës që prej marrjes së detyrës në fillim të muajit shkurt. Ndërkohë, ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Ambasada Amerikane për këtë takim.

Megjithatë, pak ditë më parë Ambasada Amerikane këshilloi qytetarët e saj që më 2 mars të shmangin Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke nënkuptuar se nuk përjashtohen incidentet. Megjithatë, vetë Presidenca iu përgjigj duke deklaruar se protesta do të ishte krejtësisht paqësore dhe një manifestim popullor kundër antikushtetueshmërisë dhe “grushtit të shtetit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë