Bota

‘Para sot ose gjak nesër’/ Udhëheqësit e BE-së debate për të siguruar një marrëveshje për Ukrainën

Udhëheqësit e BE-së po diskutojnë për të siguruar një marrëveshje financimi për Ukrainën, e cila është hedhur si një zgjedhje midis “parave sot ose gjakut nesër”, por Belgjika vazhdon të kundërshtojë një kredi të siguruar kundër aseteve të ngrira të Rusisë.

Në një samit të cilësuar si vendimtar, udhëheqësit e BE-së po diskutojnë një veprim të paprecedentë për të shfrytëzuar disa nga asetet sovrane prej 210 miliardë eurosh të Rusisë, të ngrira në bllok, disa ditë pas pushtimit të plotë të vitit 2022.

Sipas skemës, BE do t’i ofrojë Kievit një kredi prej 90 miliardë eurosh për të ndihmuar në mbajtjen e Ukrainës në luftë, ndërsa Rusia arrin fitime në fushat e betejës.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha se udhëheqësit kishin një zgjedhje të thjeshtë: “Ose para sot ose gjak nesër”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se donte të shihte një vendim për financimin deri në fund të vitit, mes parashikimeve se vendi i tij përballet me falimentim në pranverë.

Ndërkohë, zyrtarët europianë po shqyrtojnë edhe skenarë alternativë, në rast se plani dështon. Tre diplomatë të BE-së thanë se po diskutohet një mekanizëm ligjor i “bashkëpunimit të përforcuar”, që do t’i lejonte një grupi shtetesh, të udhëhequr nga Italia dhe Belgjika, të emetojnë borxh të përbashkët për Ukrainën, duke anashkaluar kërkesën për unanimitet dhe duke përjashtuar Hungarinë, e cila ka paralajmëruar veto ndaj çdo zgjidhjeje të bazuar në buxhetin e përbashkët të BE-së.

Megjithatë, burime diplomatike theksojnë për mediat e huaja se përdorimi i aseteve të ngrira ruse mbetet praktikisht “opsioni i vetëm real”. Drafti i fundit i konkluzioneve të Samitit parashikon marrjen e një vendimi politik për avancimin e kredisë dhe ngarkimin e zyrtarëve përkatës që të rregullojnë me urgjencë detajet teknike, duke parashikuar shpërndarjen e rreziqeve mes shteteve anëtare për të qetësuar Belgjikën dhe vendet e tjera skeptike.

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, i vlerësoi shanset për marrëveshje 50 me 50, duke deklaruar se “thjesht nuk mund të dështojmë”, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh i kujdesshëm e optimist: “Përshtypja ime është se mund të arrijmë një marrëveshje”.

Të gjitha çështjet e tjera thelbësore të agjendës së Samitit, nga zgjerimi, te Lindja e Mesme dhe migracioni, janë tashmë të dakorduara, duke e lënë financimin e Ukrainës si çështjen e vetme të hapur dhe vendimtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë