Gazeta Si – Dy kushërinj, Gazmend dhe Kalosh Peposhi nga Kukësi, janë shpallur në kërkim nga policia në kuadër të hetimeve për krimet zgjedhore.
Policia dhe SPAK dyshojnë se këta dy persona kanë kryer veprën penale të ‘Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim. Policia sqaron se u ka kontrolluar banesat dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Po ashtu, SPAK dhe policia po punojnë për identifikimin e personave të tjerë, ndaj të cilëve ka dyshime se janë dhënë lekë për blerje vote.
“Strukturat e posaçme për hetimin e krimeve zgjedhore në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka ushtruar kontrolle në banesat e shtetasve Gazmend Peposhi dhe Kalosh Peposhi në kuadër të hetimeve për veprën penale ”Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 e 25 te K.Penal. Policia e Kukësit ka shpallur në kërkim shtetasit G.P dhe K.P, dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre. Strukturat hetimore të DVP Kukës nën drejtimin e SPAK po punojnë intesivisht me qëllim identifikimin e shtetasve të tjerë ndaj të cilëve ka dyshime se janë dhënë vlera monetare për orientimin e votës së tyre ndaj një subjekti politik”, – njoftoi sot policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.