Ka ndodhur

Parà me fajde nga krimi, arrestohen 3 familjarë në Gjirokastër. Sekuestrohen 26.9 mln lekë, euro, dollarë e franga

Gazeta Si – Në Gjirokastër dhe Tiranë, u godit një skemë fajdesh që vepronte përmes dy subjekteve “Exchange”, ku u arrestuan tre persona dhe u shpall në kërkim një tjetër, të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje.

Katër personat e përfshirë, 2 vëllezër dhe 2 djemtë e tyre dyshohet se paratë i kanë përfituar nga veprimtari kriminale.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan mbi 26 milionë lekë, shuma të mëdha valutash, pajisje elektronike dhe 18 blloqe me shënime, që dokumentonin aktivitetin e dyshuar të dhënies me fajde të parave nga burime kriminale.

Sipas policisë, nga 2 subjektet dhe nga banesat e këtyre personave, u sekuestruan: 26.963.200 lekë, 132. 760 euro, 42.596 dollarë amerikanë, 8.780 paunde, 10.380 franga, 3.145 dollarë kanadezë, 85.720 lira turke, 18 blloqe me shënime, 6 kompjuterë, 6 celularë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.

Bëhet fjalë për një rast të pastrimit të parave me burime të dyshimta, nëpërmjet huadhënies së tyre, me përqindje të lartë fitimi.

Gjatë operacionit u vunë në pranga R.K., 56 vjeç, vëllai i tij, shtetasi L.K., 59 vjeç, si dhe djali i 59-vjeçarit, P.K., 28 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i 56-vjeçarit, B.K., 27 vjeç, të katërt banues në fshatin Kordhocë, Lazarat.

Nga hetimet dyshohet se nëpërmjet 2 subjekteve “Exchange” në pronësi të 56-vjeçarit, në Gjirokastër dhe në Tiranë, 4 personat jepnin me fajde, para të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.

Prokuroria e Gjirokastrës po vijon hetimet për pastrim parash, skema mashtruese dhe fshehje të ardhurash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë