Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim në Laprakë premtoi se pas zgjedhjeve të 11 majit, do ketë legalizim të plotë dhe se asnjë pronë e tyre nuk do të preket.
“Nuk thotë njeri që unë nuk kam mbajtur ndonjëherë fjalën, por jam këtu për t’u zotuar para jush se në mënyrë absolute asnjë banesë e juaja nuk do të preket dhe se do ketë legalizim të plotë total dhe pastaj urbanizim. Legalizim dhe pastaj urbanizim. Ky është parimi që ndjekim ne. Ndaj dhe atyre që ua kanë prishur… nuk harroj unë betejat tuaja për shtëpitë tuaja, edhe ata do dëmshpërblehen sipas këtij parimi”, tha Berisha, duke folur më pas edhe për “Paqen Fiskale” të prezantuar para disa ditësh nga Kryeministri Rama.
“Paqja e tij fiskale është amnistia, është parajsa për botën e krimit, është ndëshkim për ju qytetarë të dashur. Asnjë paqe me ta nuk ka. Me bandat kriminale ka vetëm ligj, ligj dhe vetëm ligj”, tha Berisha, duke përmendur edhe një herë se me datë 12 maj, çdo gjobë do të zerohet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.