Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ndaj “Paqes Fiskale”, duke e cilësuar atë një akt që, sipas tij, i hap rrugë pastrimit të parave të krimit të organizuar.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vepron në interes të karteleve të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine.
Sipas Berishës, ligji për Paqen Fiskale, i kundërshtuar dy vite më parë nga SHBA, BE dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, është rikthyer dhe miratuar në parim nga mazhoranca në parlament.
“Ky akt është mbështetja publike më e fuqishme që Ramaduro, shefi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, u bën karteleve shqiptare të drogës dhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.
PD, deputetët e saj, në komisionet përkatëse, kanë mbajtur qëndrime të prera kundër kësaj përpjekje.
Kanë bërë amendamente shumë të qarta, por nuk janë marrë parasysh asnjëra prej tyre nga mazhoranca.
Për PD-në, grupin e saj parlamentar, ligji është një mundësi ligjore për pastrimin e parave nga klanet e drogës dhe krimit. Për evazionin e mëtejshëm fiskal.
Për shmangien e bizneseve nga detyrimet fiskale të ardhshme kundrejt shtetit.Për favore ndaj sektorëve ku risku i pastrimit të parave është shumë i madh dhe që po ndodh aktualisht. Ndërtimi në Shqipëri është lavatriçja e parave të drogës, më e madhja në Europë.
Në këtë ligj ka mungesë të plotë të transparencës për opinioni publik dhe komunitetin e ndershëm të biznesit”, tha ai.
Berisha shtoi se si FMN ashtu dhe Banka Botërore kanë paralajmëruar më parë qeverinë shqiptare për rreziqet e mëdha të kësaj amnistie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



