Papunësia në tremujorin e dytë ka rënë në nivelet më të ulëta të tre dekadave të fundit.
Sipas të dhënave nga INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11.1 %.
Niveli i papunësisë është ulur me 1.1 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, dhe me 1.0 % krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.
Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10.7 % dhe për gratë 11.4 %. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, shkalla e papunësisë është ulur me 1.1 pikë përqindje për burrat dhe është rritur me 0.1 pikë përqindje për gratë.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 20.2 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, ajo është rritur me 0.3 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8.7 %. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm është ulur me 0.1 pikë përqindje.
Punësimi është rritur më shumë në sektorin e industrisë
Në terma vjetorë, punësimi është rritur me 7.1 % në sektorin e industrisë, me 2.0 % në sektorin e shërbimeve dhe me 4.9 % në sektorin e bujqësisë.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2022, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1.6 % në sektorin e industrisë , me 2.3 % në sektorin e bujqësisë dhe me 1.4 % në sektorin e shërbimeve.
Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 70.9 %, ndërsa për gratë është 58.2 %.
10.5% e tyre besojnë se në treg nuk ka punë të disponueshme
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, 17.7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 8.0 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11.8 % në paaftësi të përhershme.

Gjatë këtij tremujori 10.5 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 68.2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




