Ekonomi

Papunësia në 2019 ishte 11.5%

Dje INSTAT ka publikuar raportin vjetor të tregut të punës në Shqipëri për vitin 2019. Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, numri i personave në forcën e punës është 1,430 mijë persona. Femrat përbëjnë 44,4 % të forcës së punës dhe meshkujt 55,6 %. Të punësuar janë 1.266 mijë persona, ku femrat përbëjnë 44,5 % të të punësuarve dhe meshkujt 55,5 %. Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 165 mijë persona, ndër të cilët 44,0 % janë femra dhe 56,0 % janë meshkuj.

Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 69,6 %. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 16,0 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,2 %.

Shkalla e punësimit për femrat është 54,4 % dhe për meshkujt 68,2 %. Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 13,8 pikë përqindje.

Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 43,5 % dhe 36,4 % të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2019, rezulton se 45,7 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 32,3 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 22,0 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Shkalla zyrtare e papunësisë në vitin 2019, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,5 % dhe shënon një ulje me 0,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2018. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,2 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.

Shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 27,2 % (27,8 % për meshkujt dhe 26,3 % për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve ka rënë me 1,1 pikë përqindje.

Në vitin 2019, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 28,9 % të të rinjve gjithsej.

Në grupin e të rinjve që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 36,5 % klasifikohen si të papunë. Pjesa tjetër, janë jashtë tregut të punës për arsye se janë ose të dekurajuar (12,7 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (18,1 %), ose për arsye të tjera (32,7 %)

Qarqet

Një analizë mbi baza rajonale, tregon që në vitin 2019, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë: Berat (65,7 %) dhe Korçë (63,2 %). Ndërsa qarku me shkallë punësimi më të ulët eshte qarku Lezhë (41,7 %). Qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë qarku i Lezhës (17,7) % dhe qarku i Vlorës (15,2 %).

Në vitin 2019, në qarkun e Tiranës, punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël të punësimit gjithsej (7,3 %). Pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve (66,3 %) dhe një peshë të konsiderueshme zë edhe industria (26,3 %)

Pagat

Në vitin 2019, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është 52.380 lekë lekë. Krahasuar me vitin 2018, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 3,5 %. Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si: Aktivitetet financiare dhe të sigurimit, Informacioni dhe komunikacioni, Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale.

Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë: Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor; dhe Bujqësa, Silvikultura dhe Peshkimi. Hendeku gjinor në paga është 10,1 %.

Hendeku gjinor në paga është më i theksuar mes punonjësve të punësuar në ndërmarrjet ekonomike që i përkasin grup-aktivitetit ekonomik “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”, ku arrin vlerën 34,6 %.

Gjatë vitit 2019, 27,9 % e kontribuesve në kategorinë e të punësuave me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare. Për vitin 2019, paga minimale zyrtare është 26.000 lekë.

Në vitin 2019, grup-profesionet më të paguara janë: Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë; Specialistët me arsim të lartë (profesionistë); dhe Teknikët dhe specialistët në zbatim. Ndërsa grup-profesionet me pagë nën nivelin mesatar janë: Punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit; punëtorët e profesioneve elementare; dhe zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë