Ngjarje

Papa “robotik” – Vatikani kërkon studimin e teknologjive të reja

Mund të mos jetë vendi i parë që imagjinoni kur mendoni për robotë. Por nën shkëlqimin e Rilindjes të Vatikanit, mijëra kilometra nga Silicon Valley, shkencëtarët dhe teologët mblidhen për të diskutuar të ardhmen e robotikës.

Si po ndryshon epoka
Akademia u krijua 25 vjet më parë nga Papa Gjon Pali II në përgjigje të ndryshimeve të shpejta në biomjekësi. Ajo studion çështje që përfshijnë përparimet në teknikat e redaktimit të gjenomit njerëzor, të tilla si ato që supozohet të ketë përdorur shkencëtari kinez He Jiankui, për të ndryshuar gjenet e dy vajzave binjake në mënyrë që ato të mos prekeshin virusi HIV. Për hapjen e takimit, Papa Françesku i paraqiti një letër botës, ku ai përshkruan paradoksin e “përparimit” dhe paralajmëron qasjen kundër zhvillimit të teknologjive pa menduar fillimisht për shpenzimet e mundshme për shoqërinë.

Në letër, Papa thekson nevojën për të studiuar teknologjitë e reja: teknologjitë e komunikimit, nanoteknologjitë, bioteknologjitë dhe robotikën.
“Prandaj, ka nevojë urgjente për të kuptuar këto ndryshime epokale dhe për të vënë kufij të rinj për të përcaktuar se si t’i vendosim ato në shërbim të njeriut, duke respektuar dhe promovuar dinjitetin e brendshëm të të gjithëve”, shkruan Papa Françesku.
Në kontrast të thellë me këtë mesazh papnor erdhi një hipotezë nga profesori japonez Hiroshi Ishiguro, i cili thotë se njeriu nuk do të njihet më si njeriu i gjakut pas 10,000 vjetësh. I famshëm për krijimin e robotëve jashtëzakonisht të ngjashëm me njeriun në laboratorin e tij në Universitetin e Osakos, prof.Ishiguro foli për nevojën për të evoluar trupat tanë larg materialit të tyre aktual për diçka më të qëndrueshme. “Qëllimi ynë përfundimtar i evolucionit njerëzor është pavdekësia duke zëvendësuar mishin dhe eshtrat me materiale inorganike,” tha ai. “Pyetja është se çfarë ndodh nëse diçka ndodh me planetin tonë, ose diçka ndodh në Diell dhe rrjedhimisht që nuk mund të jetojmë më në këtë planet dhe të na duhet të jetojmë në hapësirë”.

Profesori japonez Hiroshi Ishiguro, me robotin e tij të dyfishtë

Për Kryepeshkopin Vincenzo Paglia, President i Akademisë Papnore për Jetën, ka një përgjigje të qartë.

Kryepeshkop Vincenzo Paglia


“Kjo është një ëndërr e tmerrshme. Është e pamundur të ndash trupin dhe shpirtin. Mishi është trupi me shpirtin dhe shpirti është një frymë me mish”, pohoi ai. “Trupi është shumë i rëndësishëm për qeniet njerëzore, nëpërmjet trupit që e duam, nëpërmjet trupit që përqafojmë dhe komunikojmë me njëri-tjetrin,” tha ai.
“Ne jemi të vetëdijshëm nga njëra anë se ky është një përparim i pabesueshëm, por nga ana tjetër menduam se janë rreziqe që ky zhvillim mund t’i japë botës. Rreziku është që ne harrojmë se jemi krijesa, jo krijues”.

Çfarë mund të bëjnë robotët
Robotët mund të bëjnë shumë punë që bëjnë njerëzit, madje edhe detyra më të veçanta si kujdesi për njerëzit e moshuar, çka ndër të tjera, përbën një aspekt themelor të punës së prof. Ishiguros. “Ne kemi një problem serioz, popullsia japoneze do të kalojë gjysmën e numrit të popullsisë së tanishme brenda 50 viteve”, thotë ai, duke shtuar se nëse nuk vijnë emigrantë ose numri i lindshmërisë nuk rritet, do të jetë i domosdoshëm përdorimi i robotëve.
“Japonia është një vend i izoluar, është një ishull, kultura jonë është mjaft e ndryshme nga vendet e tjera. Nuk është kaq e lehtë për të huajt që të mbijetojnë në Japoni,” tha prof. Ishiguro. “Kjo është arsyeja kryesore pse ne jemi aq të çmendur për krijimin e robotëve”.
Grupi Europian mbi Etikën në Shkencë dhe Teknologji (EGE) lëshoi një raport vitin e kaluar mbi “çështjet urgjente dhe komplekse morale” të ngritura nga përparimet e robotikës.


Raporti theksoi nevojën për një mënyrë kolektive dhe bashkëpunuese për të punuar për krijimin e një sërë vlerave rreth të cilave të organizohet shoqëria dhe vlerësimin e duhur mbi rolin që luajnë këto teknologji të reja në jetët tona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë