Ngjarje

‘Papa midis popullit’ / 400.000 njerëz morën pjesë në funeralin e Françeskut. Ati i Shenjtë prehet në bazilikën e ‘Shën Maria e Madhe’

Nga Gazeta Si- Pas më shumë se dy orësh ceremoni, bota i ka dhënë lamtumirën Papës së të gjithëve. Pas përfundimit të ceremonisë në sheshin Shën Pjetër, Vatikan, ku ishin të pranishëm afro 50 mijë besimtarë, mbretër dhe mbretëresha, 50 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 160 vende, rreth 4000 meshtarë dhe të paktën 120 delegacione me përfaqësues fetarë nga e gjithe bota, arkëmorti i kreut të Kishës Katolike mbërriti nga Bazilika Shën Pjetri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku u varros në një tjetër ceremoni private që do të kryesohet nga kardinali Kamerlengo, Kevin Farrell, i cili do të kujdeset për çështjet e përditshme të Kishës deri në zgjedhjen e Papës së ri.

Qindra mijëra besimtarë ishin të pozicionuar në trotuaret e rrugëve ku kaloi kortezhi.

Ministri Piantedosi: Numra njerëzish të pa parë më parë

Ceremonitë në funeralin e Papa Françeskut kanë parë “një numër njerëzish si kurrë më parë”. Kështu deklaroi Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, i intervistuar nga Rai pas mbërritjes së tij në Qendrën për Menaxhimin e Ngjarjeve të Mëdha të Shtabit të Policisë së Romës.

“Është ende herët për të mbyllur një bilanc, por ne kemi dhënë një imazh të mirë të sistemit italian”, shtoi Piantedosi.

Françesku, Papë që nga viti 2013, vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare gjatë festës së Pashkëve. Funerali i tij përfshinte koreografi të zgjedhura me kujdes, këngë latine, ulëse të organizuara rreptësisht dhe përdorimin e riteve të lashta katolike. I gjithë procesioni në fakt ishte më i thjeshtuar se ai i papëve të mëparshëm, duke ndjekur udhëzimet që Françesku dha vetë.

Shërbesa përfundoi me një lavdërim të fundit, një lutje përmbyllëse ku Papa iu dorëzua zyrtarisht Zotit. Kjo shënon fillimin e një periudhe zie nëntëditore të quajtur Novemdiales me një meshë që mbahet çdo ditë në kujtim të tij. Papa Françesku do të mbahet mend si njeriu që mbrojti me çdo kusht emigrantët dhe të varfrit, dhe për përpjekjet e tij për të riformuar Kishën Katolike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë