Ekspozite

Papa lëshon një të porsalindur dhe qesh me të… Polemika mbi skulpturën e ekspozuar në Meksikë

Vepra e artistit kilian Pablo Maire si një mesazh denoncimi kundër Kishës Katolike: “Përjetësoni një model të dhunshëm dhe anakronik”

Nga Gazeta Si – Një skulpturë në tri akte: figura e Papës që mban në krahë një foshnjë të porsalindur, më pas e lëshon atë dhe më pas qesh duke e parë copë-copë te këmbët e tij. Vepra e artit e artistit kilian Pablo Maire po shkakton jo pak polemika. Një vepër përdhosëse, një denoncim për Kishën Katolike “që përjetëson, – sipas autorit, – një model të dhunshëm dhe anakronik”.

“Përshëndetje traditë”, ky është titulli i veprës qw u ekspozua në galerinë Aguafuerte në ‘Mexico City’. Për triptikun, Maire u frymëzua nga një vepër e viteve 1990, në të cilën artisti dhe aktivisti bashkëkohor kinez, Ai Weiwei, mori një vazo të lashtë qeramike nga dinastia Han dhe e hodhi në tokë, duke e copëtuar atë, si një formë proteste kundër qeverisë kineze.

“Ai bëri këtë gjest simbolik të shkatërrimit të traditës kineze dhe unë e transformova, e vendosa këtë vepër në një kontekst perëndimor dhe imagjinova traditën katolike, e cila është një traditë që na prek të gjithëve në njëfarë mënyre sepse vijmë nga bota perëndimore, sidomos me tema të tilla si pedofilia”, tha artisti kilian në një intervistë për “Efe”.

Skulptura e artistit kilian, Pablo Maire

Maire përmendi gjithashtu korrupsionin e Kishës Katolike në Kili si shembull dhe kujtoi se disa vjet më parë në vendin e tij “rastet e pedofilisë dolën në dritë si kurrë më parë dhe njerëzit u bënë të pakënaqur, të paktën me institucionin katolik, jo ndaj besimit”.

“Ne e dimë se të gjitha institucionet e fuqishme shpesh bien nga brenda dhe nuk ka nevojë që faktorë të jashtëm t’i rrëzojnë ato”, vazhdoi Maire, i lindur gjatë diktaturës së Pinochetit në 1973, i cili e shënjoi atë “thellësisht”.

“Sidomos sepse kam të afërm të persekutuar nga diktatura dhe kam vepra që nuk kanë të bëjnë vetëm me fenë, por edhe me politikën dhe i bëj këto lojëra politike sepse arti dhe politika janë shumë të lidhura nga këndvështrimi im dhe respekt për punën time”, shpjegoi ai në fund.

Marrë nga La Stampa, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë