Futboll

Tragjike në Rrogozhinë! Ndërron jetë sulmuesi Rafael Duamena pasi ra pa ndjenja në fushë

Gazeta Si – Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në stadiumin e Rrogozhinës. Sulmuesi i Egnatias, Rafael Duamena, ka humbur jetën, pasi ra pa ndjenjë në fushë gjatë ndeshjes me Partizanin.

Në mesin e pjesës së parë të ndeshjes, Duamena është shembur në fushë pa ndjenja dhe pastaj, edhe pse ka marrë ndihmën e parë dhe është përmendur, nuk ka mundur të mbijetojë.

Lojtari u transportua me autoambulancë nga fusha drejt spitalit të Rrogozhinës, ku sipas informacioneve paraprake, ka pasur një tjetër shok. Kjo e ka çuar futbollistin në gjendje kritike dhe më pas ai ka ndërruar jetë.

Lojtarët në fushë, drejtuesit e klubeve dhe tifozët kanë mbetur të shokuar pas asaj që kanë parë. Ndeshja ndërkohë u ndërpre pas kësaj ngjarjeje, kur rezultati ishte 1-1.

Për sulmuesin e Egnatias mësohet se është një rast i përsëritur. Ai ka pësuar një kolaps të tillë edhe kur luante me Real Saragozën në Spanjë dhe po ashtu në Austri.

Pas ngjarjes së trishtë ishin të shumta reagimet nga gjithë faktorët e futbollit shqiptar. "Jam thellësisht i shokuar e i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të lojtarit të Egnatias, Rafael Duamena.
Një lojtar i fortë, me shpirt gare, një futbollist që edhe në statistikat e FSHF dhe të Superiores, kishte rekordin më të mirë të golave.

Duamena tregonte disiplinë e karakter dhe një futbollist që kishte komunikim të jashtëzakonshëm me shokët e ekipit, por edhe jashtë tij. Në emër të FSHF i shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të futbollistit dhe vetë ekipit të Egnatias ku ai kontribuoi dhe shkëlqeu në këtë karrierë të tillë futbollistike. Rest in peace Raphael Duamena", - shkruante presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pak minuta pas ngjarjes.

Reagimet ishin të menjëhershme në rrjetet sociale nga gjithë klubet e futbollit në vend dhe veçanërisht nga futbollistët e Egnatias, të cilët kanë humbur kapitenin e tyre. Edhe trajneri i Kombëtares, Silvinjo, reagoi me një ngushëllim për sulmuesin afrikan.

Duamena ishte një nga futbollistët më të mirë të huaj që ka luajtur në futbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë