Informacionet nga agjencitë imobiliare në kryeqytet tregojnë se tregu i qirave po përjeton një krizë të vazhdueshme për shkak të vijimit të shtrëngimit të masave anti-COVID-19.
Pronat me qira në 60-70 të totalit të tyre përfshijnë qiratë ditore, studentët nga rrethet dhe ata të huaj, biznese dhe qëllime komerciale si magazina, etj.
“Ky 60-70 % konsiderohet teorikisht humbje, pavarësisht se nuk kemi të dhëna të sakta ende. Situata është e tillë që për shkak të bllokimeve të lëvizjeve, tregu i qirave e ka humbur potencialin e studentëve të huaj, po ashtu edhe studentët vendas që po i kryejnë studimet online. Bizneset një pjesë po falimentojnë, të tjerë po hapen, por nuk janë potencial i konsiderueshëm për të mbajtur tregun e qirave më këmbë. Tregu po lëviz në kahun e hapësirave komerciale si magazine”- thotë për gazetën “Si”, Dritan Leka nga Century 21.
Po ashtu, thotë ai, ka dhe qira rezidenciale nga ajo kategori që vijon jetën normalisht që bëhen me fëmijë dhe duan të zgjerohen, apo çiftet e reja që kërkojnë hapësira me çmime ekonomike.

Leka shpjegon se deri më tani kriza e pandemisë nuk ka reflektuar ende tek çmimet e qirave.
Kurse të dhënat e EUROSTAT tregojnë që çmimet e qirave në vendet e eurozonës janë rritur mes 2010-2020 në 14,6%.
Çmimet e shitjes së apartamenteve në Tiranë
Të dhënat e portalit Keydata Albania tregojnë se periudhat me rritjen më të madhe në çmimin e apartamenteve në Tiranë është periudha midis viteve 2005-2007 dhe 2017-2019. Çmimet e apartamenteve patën një periudhë stanjacioni gjatë 2009-2010 dhe 2014-2015, ku nuk shënuan ndryshim. Indeksi shënoi rënie gjatë periudhës 2011 deri në 2014.
Nga viti 2005 deri në vitin 2019, çmimi real i shitjes së apartamenteve në Tiranë është rritur me 66 %. Inflacioni kumulativ për periudhën 2005-2019 përllogaritet në 34.6%.
Periudha 2005-2006 dhe periudha 2006 – 2007 përbëjnë kohën me rritjen më të madhe të indeksit ndër vite; indeksi është rritur me 11.8 % dhe 17.5 %, përkatësisht
Nga viti 2007 në vitin 2008, indeksi u rrit me 6.4 %, në vlerë më të ulët se dy periudhat e mëparshme
Periudha 2008 – 2009 u shoqërua me një rritje në indeks me 5.2 %
Periudha 2014 – 2018, në të cilën indeksi është rritur nga 133 deri në 147; një rritje me 10.5 %.
Si periudhë stanjacioni përmenden vitet 2009 – 2011, gjatë të cilëve, çmimi i shitjes së apartamenteve në Tiranë është luhatur me rreth 1 %.
Rënie në indeks vërehet në periudhën 2011 – 2014, ku vlen të përmenden:
Periudhën 2012 – 2013, një rënie me 3.8 % në indeksin e apartamenteve
Periudha 2013 – 2014, në të cilën indeksi i çmimit të shitjes së apartamenteve në Tiranë është ulur me 2.9 %.
Përsa i përket vitit 2019, indeksi i çmimit të apartamenteve në Tiranë është në vlerën 166.14, duke shënuar një rritje prej rreth 12.9 % në krahasim me vitin 2018.
Të dhënat tregojnë se çmimet në 15 vjet thuajse janë dyfishuar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Indeksi i Pronës, çmimi mesatar i shitjes së një prone në Tiranë në 2019-n ishte 1005 euro për metër në katror. Ndërsa në 2005-n, një pronë në Tiranë shitej me një çmim mesatar prej 662 euro për metër në katror, duke shënuar kështu një rritje me 1.5 herë.
Si kanë ndryshuar çmimet e qirave dhe të shitjes në zonën euro
Mes 2010 dhe tremujorit të tretë të 2011-ës, çmimet e shtëpive dhe qiratë në zonën euro ndoqën rrugë të njëjta.
Që prej tremujorit të tretë të 2011, ato kanë ndjekur rrugë të ndryshme: teksa qiratë u rritën në mënyrë të qëndrueshme gjatë periudhës deri në tremujorin e tretë të 2020, cmimet e shtëpive janë luhatur ndjeshëm.
Pas një rënie të thekshme mes tremujorit të dytë të 2011 dhe tremujorit të parë të 2013, çmimet e shtëpive qëndruan më pak të qëndrueshme mes 2013 dhe 2014. Mandej, ndodhi një rritje e shpejtë herët në 2015, që kur çmimet e shtëpive u rritën me më shumë shpjetësi se sa qiratë.
Gjatë periudhës 2010 deri në 2020, qiratë u rritën 14.6% dhe çmimet e shtëpive 26.8%.
Nëse do të krahasohej tremujori i tretë 2020 me 2010, çmimet e shtëpive u rritën më shumë se qiratë në 16 vende anëtare të BE-së. Çmimet e shtëpive u rritën në 23 vende anëtare u ulën në 4 prej tyre, me rritjen më të madhe në Estoni (+105.1%), Hungari (+92.2%), Luksemburg (+90.5%), Letoni (+83.6%) dhe Austri (+81.3%). Rënie u vërejtën në Greqi* (-31.0%), Itali (-15.5%), Qipro (-7.7%) dhe Spanjë (-4.5%).
Qiratë kanë patur sjellje të ndryshmet. Në krahasim mes tremujorit të tretë 2020 dhe 2010, çmimet u rritën në 25 vendet anëtare të BE-së dhe u ulën në dy, me rritjen më të madhe në Estoni (+136.6%), Lituani (+106.9%) dhe Irelandë (+62.2%). Uljet u regjistruan në Greqi (-25.2%) dhe Qipro (-4.5%).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




