Para

Pandemia tkurr të ardhurat e konsumatorëve, bie kërkesa për kredi në tremujorin e dytë

Papunësia, ulja e orëve të punës dhe rrjedhimisht e pagave në këtë periudhë të zgjatur pandemie, kanë sjellë tkurrje të ndjeshme në të ardhurat e konsumatorëve shqiptarë.

Kjo ka sjellë edhe mungesën e interesimit për kredi duke e ulur kërkesën për këtë produkt.

“Sipas gjykimit të bankave, pothuajse të gjithë faktorët që ndikojnë kërkesën për kredi të individëve kanë qenë në kahun negativ në tremujorin e dytë të vitit. Kështu, nevojat më të ulëta në financimin e blerjes së banesave dhe të konsumit, përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit, shtimi i kredive në bankat dhe institucionet e tjera financiare jobanka, zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, si edhe rënia e besimit konsumator sollën reduktimin e theksuar të kërkesës për kredi në tremujorin e dytë të vitit”, citon raporti i “Vrojtimit të Kreditimit” për tremujorin e dytë të vitit. Po ashtu, bankat kanë vlerësuar se në tremujorin e dytë të vitit se rënia e të  ardhurave dhe pasiguria financiare për të ardhmen, të shkaktuara nga zgjatja e periudhës së pandemisë,ishte një prej faktorëve kryesorë që solli rënien e kërkesës për kredi. I vetmi faktor që vlerësohet të ketë shtuar kërkesën për kredi nga ana e individëve është raportuar rifinancimi/ristrukturimi i borxhit ekzistues.

Gjithashtu në tkurrjen e kërkesës për kredi të individëve kanë ndikuar edhe kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar kësaj kategorie që u shtrënguan në tremujorin e dytë të vitit 2020. Shtrëngimi i tyre u arrit nëpërmjet kushtëzimeve më të larta në marrëveshjet e kredisë, reduktimit të madhësisë së kredisë dhe shtimit të lehtë të marzheve mbi kreditë me rrezik.

Shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit për individët u diktua nga perceptimi për rrezik të shtuar nga ana e bankave, si edhe nga një tolerancë më e ulët ndaj rrezikut.

Po ashtu edhe standardet e kreditimit për individët vijuan shtrëngimin edhe në tremujorin e dytë të vitit 2020. Standarde të shtrënguara kreditimi u raportuan si në kreditë për blerje banesash, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit. Në tremujorin e tretë të vitit 2020, bankat presin t’i lehtësojnë standardet e kreditimit për individët, si në kreditë për blerje banese, ashtu edhe ato konsumatore.

Në tremujorin e dytë të vitit 2020, të gjithë faktorët që ndikojnë standardet e kreditimit për individët u raportuan në kahun shtrëngues. Balancat më të theksuara negative erdhën kryesisht nga treguesit e lidhur me perceptimin për rrezik të shtuar lidhur me: situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të; aftësinë paguese të kredimarrësit; zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave; si edhe kolateralin dhe tolerancën më të ulët të bankave kundrejt këtij rreziku.

Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e tretë të vitit 2020, kërkesa për kredi e individëve pritet të rritet disi, e përqendruar vetëm në kreditë konsumatore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë