Nga Gazeta Si – Katër vjet pas pandemisë së Covid-19 që përfshiu mbarë botën, një nga pasojat e rënda në shëndet është dhe insuficenca renale, ose siç njihet pamjaftueshmëria e veshkave për të kryer funksionet e tyre.
Sipas informacioneve nga pavioni i shërbimit të nefrologjisë në QSUT, numri i pacientëve që kryejnë dializë është rritur ndjeshëm sidomos pas vitit 2020, çka lidhet me efektet e Covid-19.
Shefja e këtij pavioni, Arjana Strakosha, thotë për Gazetasi.al se në pavionin e dializës ka pothuajse nga të gjitha moshat.
“Me rritjen e jetëgjatësisë, trajtohen me dializë dhe pacientë të moshës së tretë. Numri i tyre është rritur ndjeshëm pas pandemisë, por incidenca dhe prevalenca në popullatë mbeten në të njëjtat nivele”, thotë doktoreshë Arjana Strakosha.
Nefrologia Arjana Strakosha thotë se edhe numri i transplanteve të veshkave të kryera në QSUT është në rritje.
“Transplanti i veshkës është një formë trajtimi e insuficencës renale që ne propozojmë në rastet kur pacienti plotëson kriteret. Ndryshe nga situata në botë, në vendin tonë dhurimi i organit të veshkës kryhet brenda familjes, kryesisht janë prindërit që dhurojnë e më pak motrat apo vëllezërit’, nënvizon mjekja nefrologe Arjana Strakosha.
Insuficenca renale, si mund ‘të mbyllet’ dializa?
Filozofia e re e mjekimit sot në botë është ‘bllokimi i rrugës drejt dializës, trajtimi me veshkë artificiale, duke e trajtuar që në fazën e hershme sëmundjen, duke e shtyrë deri në 26 vjet dializën.
Por sot në Shqipëri, kjo duket ende e pamundur pasi 1 në 10 persona janë të prekur nga veshkat, por 95% e tyre nuk e dinë se vuajnë.
Mjeku nefrolog Myftar Barbullushi thotë se gjendja shëndetësore e pacientit rëndohet edhe më shumë kur ai vuan nga sëmundja e diabetit dhe hipertensionit.
Kjo ka rritur për pasojë me 31 për qind numrin e vdekjeve ndër pacientët e prekur nga veshkat.
Doktor Myftar Barbullushi, ish-shef pavioni i shërbimit të Nefrologjisë në QSUT, thotë se nëse do të trajtohet shpejt insuficenca renale, do të bllokohej rruga drejt dializës.
“Dializa është ndër gjërat më të mëdha të mjekësisë, veshkë artificiale, duke i dhënë mundësi pacientit një jetëgjatësi 13 vjet më shumë përmes këtij trajtimi, por sot unë përpiqem ta ‘mbyll’ dializën, duke u përpjekur të bllokoj rrugën drejt saj. Nëse e trajtojmë herët, mund ta shtyjmë rrugën drejt dializës me 26 vjet’, thotë Barbullushi.
Mjeku i njohur thotë se si pasojë e dëmtimit të veshkës, pacienti rrezikon të preket nga diabeti dhe problemet kardiake.
“Një pacient që ka diabet dhe probleme me veshkat, vdes 40 % më shpejt sesa një pacient që ka vetëm diabet”, sqaron profesor Barbullushi.
Mjeku Barbullushi u bën thirrje pacientëve, por edhe kardiologëve, si dhe mjekëve që merren me diabetin që, pasi të konstatojnë këto sëmundje te pacienti, t’i rekomandojnë që të drejtohen edhe te nefrologu për gjendjen shëndetësore të veshkave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.