Shendet

‘Pandemia, por jo vetëm’. Alban Ylli jep arsyet pse janë rritur shtrimet në spitale

Nga Gazeta Si – Gjatë dy viteve pandemi shtrimet në spital i kemi lidhur me virusin Sars-Cov-2.Por duke u bazuar në të dhëna, rezulton se shtrimet janë rritur edhe për sëmundje të tjera. Të dhënat e monitorimit financiar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për 4 muajt e parë të këtij viti tregojnë se ka 86,392 shtrime nga 73,556 pacientë që ishin vjet.

Rezulton se janë shtruar 12,836 pacientë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas treguesve shtrimet i përkasin pacientëve me probleme të zemrës, sëmundje neurologjike dhe ata që kryejnë dializë.

A është rritja e shtrimeve pasojë vetëm të pandemisë?

Alban Ylli, ekspert i shëndetit publik në ISHP, i pyetur nga Gazetasi.al thotë se shtrimet nuk vijnë vetëm nga pandemia.

“Vijon rritja e vërejtur para pandemisë, pas një rënie në vitin 2020. E kemi verifikuar edhe me sëmundjet e kancerit, ku duket qarte se rritja e numrit të shtrimeve është me madhe se rritja e rasteve të reja të diagnostikuara”,shpjegon Ylli.

Alban Ylli-Ekspert i shendetit publik në ISHP.-Gazeta “Si”-13.07.2022.

Sipas Yllit ka një sërë faktorësh për të cilët duhet të presim rritje graduale të përdorimit të spitaleve.

Ai thekson se veç pandemisë, në shtimin e shtrimeve ndikon edhe rritja e moshës mesatare të popullatës e cila sjell rrjedhimisht edhe rritje të incidences së sëmundjeve).

Ylli përcakton se ka ndikuar edhe rritja e ndërgjegjësimit të popullatës.

 “Ka ndikuar rritja e shërbimeve diagnostike dhe terapeutike. Nuk përjashtohet mundësia që një përqindje e vogël e rritjes në fjalë të jetë shkaktuar edhe nga gjendja post-covid. Por e theksoj qe prirja është vërejtur edhe para pandemisë”, shpjegon Ylli.

Specifikisht të dhënat kanë treguar se numri i pacientëve të trajtuar në kardiologji është rritur me 42%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021,ndërsa në krahasim me vitin pandemik (2020) të sëmurët me zemër janë rritur 76%.

Ndërkohë, shtrimet janë vërejtur gjatë gjithë kohës edhe në shërbime të tjera. Në spitalin onkologjik Shefja e shërbimit Silvana Çeliku është shprehur më herët për Gazetasi.al se depistimet e kancerit të gjirit janë rritur 54% dhe të kancerit të mitrës 31%. Gjithashtu rritje me 9% pacientë të shtuar, ka pësuar dhe trajtimi me radioterapi.

Të afërm të pacienteve pranë Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, QSUT,-LSA-Gazeta “Si”-13.07.2022.

Problem mbeten sëmundjet jo të transmetueshme.

Në vendin tonë problematike mbeten sëmundjet jo të transmetueshme(SJT). Këto sëmundje kanë një barrë të madhe shëndetësore dhe ekonomike.

Sipas statistikave të vitit 2021 nga Instituti i Shëndetit Publik, u evidentua një rritje e ndjeshme për këtë grup sëmundjesh. Sipas të dhënave SJT përbënin rreth 96% të vdekjeve të përgjithshme, e ndjekur nga lëndimet (3.7%).

LEXO EDHE:
Shqiptarët më së shumti vuajnë nga sëmundjet jo të transmetueshme

Të dhënat kanë treguar se shkalla e vdekshmërisë së sëmundjeve ishemike të zemrës dhe infarktit të miokardit janë më të shpeshtat në popullatë.

Në raportin e ISHP, përcaktohej se mënyra e të ushqyerit ishte faktori i dytë kryesor i rrezikut, që përbën 27% të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet dhe 15% të barrës së përgjithshme të sëmundjes.

 Sipas gjetjeve, duhani ishte faktori i tretë i rrezikut kryesor që përbën 19% të të gjitha vdekjeve dhe 13% të barrës së përgjithshme të sëmundjeve në popullatën shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë