Politikat anti-Covid-19 që bllokuan lëvizjet, frika psikologjike, bllokimi që Kosova u bëri produkteve serbe, rritja e depozitave ushqimore nga ana e kosnumatorëve që në fillim të izolimit, ka bërë që produktet ushqimore të jenë në krye të listës së eksporteve dhe importeve në këto pesë muaj të parë të vitit.
Instituti i Statistikave ka raportuar këtë të mërkurën se në pesëmujorin e parë 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën e 102 mld lekëve, duke u ulur me 19,4 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 219 mld lekë, duke u ulur me 17,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 117 mld lekë, duke u ulur me 14,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.
Por situata e tregtisë së jashtme është përmirësuar në maj ku eksportet e mallrave arritën vlerën 21 mld lekë, duke u ulur me 22,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 43,8 %, në krahasim me Prill 2020. Importet e mallrave arritën vlerën 45 mld lekë, duke u ulur me 24,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 22,9 %, në krahasim me Prill 2020. Deficiti tregtar i këtij muaji është 23 mld lekë, duke u ulur me 25,6 %, krahasuar me Maj 2019 dhe duke u rritur me 8,3 %, në krahasim me Prill 2020.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Sipas INSTAT, grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -10,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -5,1 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,4 pikë përqindje.
Sipas Florian Zekja, kryetar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve situata në sektorin fason po përkeqësohet.


“Po marrim shembull industrinë e automjeteve në Gjermani. Ekonomia është tkurrur gjithandej për shkak të pandemisë, industria e automjeteve në Gjermani ka shkurtuar qindar vende pune duke i dërguar punonjësit në asistencë. Kështu që nuk kërkojnë veshje dhe maska si në fillim. Po ashtu edhe me vendet e tjera; turizmi është i paralizuar që do të thotë që dyqanet e veshjeve nuk frekuentohen si më parë. Njerëzit e kanë shtrënguar dorën për veshje”, shpjegon Zekja për Gazetën “Si”.
Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,4 pikë përqindje dhe “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +0,2 pikë përqindje.

Sipas Uran Derrit, sipërmarrës në tregun ushqimor dhe financier njëkohësisht, “nuk ka pandemi apo arsye në botë që t’u tërheqë vëmendjen apo të ndalojë njerëzit së ushqyeri”. “Përkundrazi, nga frika psikologjike njerëzit në fillim zbrazën marketet duke shtuar depozitat ushqimore. Kjo sjellje vazhdoi të përsëritej sa herë që kishte një njoftim të ri për mbylljen e aktiviteteve fundjavave. Po ashtu bllokimi i Kinës, politika e SHBA-ve ndaj Kinës duke zhvendosur shumë fabrika në Hungari dhe Amerikë nga Kina, frika nga Covid-19 bëri që tregatrët të preferonin tu shmangeshin distancave të gjata dhe iu rikthyen shkëmbimeve në rajon, bllokimi i produkteve Serbe nga Kosova, politikat anti Covid-19 që duhet të kryeje karantinën edhe si tregtar në vendet me distance të largëta bën që të rritej tregtia në rajon dhe ushqimet të mbanin peshën kryesore”, thotë ai.
Uran Derri parashikon që kjo tendencë të vazhdojë për gjatë duke forcuar edhe më tej tregtinë në rajon.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Si pesëmujor, importet janë ulur me 17,1 %, krahasuar me pesëmujorin e parë 2019. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,8 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me -4,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,9 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,4 pikë përqindje.

Rënia vjetore e importeve prej 24,2 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -6,5 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me -5,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,8 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,03 pikë përqindje.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Gjatë këtij pesëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (16,6 %), Serbia (11,8 %), dhe Franca (26,9 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-26,6 %), Kosova (-34,3 %) dhe Spanja (-6,5 %).
Në muajin Maj 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Maj 2019 janë: Gjermania , Serbia , dhe Franca . Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia, Kosova dhe Greqia .
Gjatë këtij pesëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Rusia (50,8 %), Hollanda (0,2 %) dhe Ukraina (82,0 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-23,1 %), Greqia (-11,8 %) dhe Turqia (-13,8 %)
Në muajin Maj 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Maj 2019 janë: Rusia , Ukraina , dhe Hollanda . Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia , Greqia dhe Kina .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




