Gjatë vitit 2020, paga mesatare dhe bruto në sektorin privat në Kosovë pësoi ulje.
Paga neto gjatë vitit 2019 rezultonte 430 euro, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndërsa në vitin 2020 u ul në 416 euro. Paga mesatare bruto nga 477 euro në vitin 2019 ra në 466 euro në vitin 2020.
Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020 ishte 380 Euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 Euro. Ndërsa në sektorin shtetëror pësoi rritje të lehtë, nga 584 euro në vitin 2019 në 624 euro në 2020-n.
Në raport thuhet se ulja e pagave në sektorin privat erdhi si pasojë e uljes së aktivitetit gjatë pandemisë duke theksuar se ndërmarrjet private kanë numrin më të madh të të punësuarëve.
Paga mesatare bruto në vitin 2020 në Kosovë sipas aktivitetit ekonomik niste me fushën e energjisë, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar, me 956 euro në muaj. Në vend të dytë ishin profesionet e informim-komunikimit me 697 euro në muaj.
Paga mesatare bruto më e ulët ishte për të punësuarit e aktiviteteve gastronomike, 218 euro.
Në sektorin publik vërehet një rritje më e theksuar e pagës bruto dhe neto, krahasuar me vitet paraardhëse, që sipas ASK-së ka ardhur për arsye të përfitimit të shtesave në sektorët specifikë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




