Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 goditi kryesisht sektorët që janë të lidhur me shërbimet dhe konsumin në 2020 e nga ana tjetër ndërtimi dhe teknologjia e informacionit patën një periudhë lulëzimi.
Sipas të dhënave të regjistrit të ndërmarrjeve nga INSTAT, në total numri i ndërmarrjeve në vend pa përfshirë fermerët dhe bujqësinë ishte gati 116 mijë subjekte, duke pësuar një rënie të lehtë me -0.5% në krahasim me vitin e kaluar.
Sektori që është dëmtuar më shumë nga pandemia është ai i akomodimit dhe i shërbimit ushqimor, duke u tkurrur me 3.9%. Mbyllja disa mujore dhe kufizimet në orare kanë mbyllur rreth 730 subjekte.
Tregtia gjithashtu është goditur nga kufizimet ku numri i ndërmarrjeve ra me 1.5%, ose rreth 660 subjekte të mbyllura.
Sektorët që kanë shënuar ecuri më të mirë gjatë krizës ishin teknologjia e informacionit dhe ndërtimi.
Në teknologjinë e informacionit, shërbimet e të cilës u bënë mjaft të kërkuara e të domosdoshme, sidomos gjatë periudhës së karantinës, numri i ndërmarrjeve u rrit me 8.4% (+260 subjekte).
Edhe ndërtimi gjithashtu ka parë një rritje të numri të subjekteve me 7%, teksa në vitin pandemik u shtuan (neto) rreth 334 firma të reja që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor. Ai ka shënuar dhe numrin më të lartë të bizneseve të hapura nga të gjitha aktivitetet e tjera ekonomike, përjashtuar bujqësinë.
Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare është e përqendruar kryesisht në aktivitetin tregtar ku ndërmarrjet tregtare zënë 22,1 % të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2020, krahasuar me 23,0 % të regjistruara gjatë vitit 2019.
Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë vetëm 1,2 % ndaj totalit të ndërmarrjeve. Kontributi i tyre në punësim llogaritet në 48,5 % në vitin 2020, nga 47,8 % në vitin 2019.
Gratë drejtojnë 25,5 % të ndërmarrjeve aktive në vitin 2020, nga 25,4 % në vitin 2019.
Qarku i Tiranës ka edhe përqendrimin më të madh të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë, me 32,8 %. Në ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar, gratë drejtojnë 22,8 % të ndërmarrjeve.
Ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 3,6 % të ndërmarrjeve aktive, krahasuar me 4,0 % të ndërmarrjeve aktive në vitin 2019, dhe punësojnë 12,4 % të të punësuarve gjithsej.
Në fund të vitit 2020 regjistrohen 176.216 njësi lokale nga të cilat 164.608 ushtrojnë aktivitetin ekonomik në një vendndodhje. Ndërmarrjet me më shumë se një vendndodhje janë 1.778, të cilat përfaqësojnë vetëm 1,1 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Numri i të punësuarve në to është 25,4 % e të punësuarve gjithsej.
Njësitë lokale janë përqendruar në qarqet Tiranë, Fier dhe Korçë me 54,9 % të numrit të përgjithshëm të njësive lokale.
Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe Elbasan, ku janë përqendruar 41,0 % e ndërmarrjeve aktive.
Pothuajse e njëjta situatë është edhe me ndërmarrjet e regjistruara gjatë vitit 2020, me 46,9 %. Të punësuarit në këtë rajon zënë 54,4 % të të punësuarve gjithsej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.