Ëndrrat e të rinjve janë të pamata, e veçanërisht kur përballen me një vend si Shqipëria që nuk të lë shumë hapësira që të eksperimentosh për të gjetur veten.
Këta të rinj, ose shpresojnë dhe përpiqen për t’u larguar nga vendi, ose klasifikohen si të dekurajuar dhe nuk e konsiderojnë veten si forcë pune, si të tillë, as nuk kërkojnë punë, as nuk zhvillojnë ndonjë aktivitet tjetër.
Të dhënat e INSTAT e konfirmojnë këtë. Të rinjtë janë kategoria më e diskriminuar në tregun e punës duke patur në radhët e tyre papunësi më të lartë dhe të dekurajuar më të shumtë.
Kriza e Covid-19 e përkeqësoi situatën e tregut të punës, veçanërisht në mesin e të rinjve.
Sipas të dhënave të INSTAT të raportuara ditën e sotme (të enjten), shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 21,4 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rritje. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e dytë të vitit 2020 është 0,5 pikë përqindje më e lartë. Krahasuar me tremujorin e parë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është rritur me 1,4 pikë përqindje.
Kurse shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç gjatë tremujorit të dytë të vitit është 50,5 %.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 69,1 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 8,3 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 14,7 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 59,6 %. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2019, numri i të punësuarve gjithsej u ul me 3,6 %, ndërkohë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020, ky tregues u ul me 2,6 %.
Në tremujorin e dytë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,9 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,4 pikë përqindje, ndërkohë krahasuar me tremujorin e parë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,5 pikë përqindje.
Në tremujorin e dytë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 68,1 %. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1,7 pikë përqindje më e ulët, ndërkohë krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues shënon një ulje prej 1,5 pikë përqindje.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 60,7 %, ndërsa për burrat ky tregues është 75,7 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,0 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është ulur me 1,2 pikë përqindje dhe për burrat është ulur me 2,1 pikë përqindje.
Punësimi

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 59,6 %. Ritmi vjetor i punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i dytë i vitit 2019 në tremujorin e dytë të vitit 2020, është -3,6 %. Në terma vjetorë, ritmi i punësimit ka pësuar rënie me 3,7 % në sektorin e bujqësisë, me 3,7 % në sektorin e industrisë dhe me 3,4 % në sektorin e shërbimeve. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2020, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u ul me 2,6 %. Punësimi pësoi ulje në sektorin e bujqësisë me 1,1 %, në sektorin e industrisë me 6,2 % dhe në sektorin e shërbimeve me 2,3 %.

Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 77,2 %.
Shkalla e punësimit për burrat është 66,2 %, ndërsa për gratë 53,2 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e punësimit për burrat është ulur me 2,2 pikë përqindje dhe për gratë u ul me 1,4 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 39,7 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e dytë 2020, shkalla e punësimit është 69,9 %.
Papunësia
Në tremujorin e dytë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,9 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,4 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,5 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 12,0 % dhe për gratë 11,9 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e papunësisë për burrat është rritur me 0,4 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 0,5 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9,5 %. Në terma vjetorë ky tregues është rritur me 0,7 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u rrit me 0,4 pikë përqindje.
Popullsia ekonomikisht jo-aktive
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, 18,5 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,1 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,4 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të dytë 2020, 11,3 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




