Treg

Pandemia godet rëndë turizmin kulturor

Qeveritë e botës në përpjekje për të kontrolluar përhapjen e COVID-19 me masat që kanë marrë kanë detyruar turizmin të mbyllë dyert në të gjithë globin, po ashtu edhe në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në këtë industri, turizmi kulturor është godituar akoma më rëndë.

Institucione të artit dhe kulturës  gjatë tremujorit të katërt 2020, kanë organizuar gjithsej 80 shfaqje dhe premiera të hapura, 7 shfaqje në Teatrin Kombëtar Popullor, 32 shfaqje në Teatrin Kombëtar Eksperimental, 20 shfaqje në Teatrin Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, 16 shfaqje në Qëndrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe 5 shfaqje në Cirkun Kombëtar. Gjatë vitit 2020, janë organizuar gjithsej 328 shfaqje dhe premiera në institucionet qëndrore të artit. Krahasuar me vitin e kaluar, ky numër është shumë i ulët për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Megjithatë, institucionet e artit kanë vijuar veprimtarinë me shfaqje dhe premiera online, të publikuara në rrjete sociale.

Në tremujorin e katërt 2020, numri i spektatorëve gjithsej në aktivitetet kulturore është 5.457 spektatorë. Pjesëmarrja më e lartë e spektatorëve u evidentua në Teatrin Kombëtar Eksperimental (40,2 %) dhe në Cirkun Kombëtar (30,1 %). Në institucionet qendrore të artit, gjatë vitit 2020, morën pjesë në aktivitetet kulturore 38.332 spektatorë.

Trashëgimi kulturore

Numri i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore, në tremujorin e katërt 2020, është 34.993 vizitorë, 15,5 % e të cilëve janë të huaj. Gjatë këtij tremujori, vizitorët vendas nuk kanë patur dallime të dukshme në frekuentim të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Ndërkohë, vizitorët e huaj kanë frekuentuar më shumë Kalatë dhe Monumentet. Gjatë vitit 2020, numri i vizitorëve në muze, kala dhe parqe arkeologjike është 190.467 vizitorë, 16,8 % e të cilëve janë të huaj.

Biblioteka Kombëtare

Në tremujorin e katërt 2020, numri i shërbimeve të njësive bibliotekare është 2.856 dhe numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare është 2.733 persona. Gjatë këtij tremujori, janë afishuar 799 tituj të rinj dhe 3.477 ekzemplarë të rinj. Gjatë vitit 2020, në Bibliotekën Kombëtare, numri i njësive bibliotekare është 20.306 dhe numri i frekuentuesve është 30.002 persona. Gjatë këtij viti, janë afishuar në total 2.537 tituj të rinj dhe 11.022 ekzemplarë të rinj.

Ekspertët që merren me turizmin kulturor në vend shpresuan që turizmi që nisi të lëvizte në sezonin e verës, edhe pse në mënyrë modeste, do të ishte ogur i mirë dhe një test për turizmin kulturor që zhvillohet në vjeshtë.

Parashikimet dështuan, sepse sipas tyre kjo është një situatë e paparë më parë dhe e ka rrënuar turizmin si kurrë më parë që prej kohës kur turizmi ka nisur si aktivitet ekonomik. Kjo sepse target grupi i këtij lloj turizmi është kryesisht mosha e tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë