Lawrence Garbuz është një avokat pesëdhjetë e një vjeçar i pasurive të patundshme dhe trashëgimive. Ai jeton në New Rochelle, në kontenë Westchester dhe punon në një firmë, në mes të qytetit të Manhatanit, që ai themeloi me gruan e tij, Adina Lewis. Ata kanë katër fëmijë, mes tyre një në Universitetin Yeshiva dhe një tjetër në një shkollë të mesme në Bronx.
Një ditë në shkurt, Garbuz pati kollë dhe ethe. Në atë kohë, pothuajse të gjithë amerikanët që dihej të kishin covid-19 kishin shkuar jashtë vendit ose kishin qenë në kontakt me të tjerë, që kishin shkuar. Garbuz zor se kishte udhëtuar kohët e fundit dhe kishte qenë i ulur në tryezën e tij tërë ditën, kështu që nuk shqetësohej se ishte infektuar.
Megjithatë ai vazhdoi të ndihej më keq dhe, pasi mjeku i sugjeroi që të shkonte në spital, një mik e çoi atë te një në Bronxville. Grafia shfaqte pneumoni të zakonshme, kështu që nuk u morën masa të veçanta për ta izoluar, kur u shtrua. Garbuz është një anëtar aktiv i një sinagoge në New Rochelle dhe një pjesë e traditës hebraike është të vizitojë të sëmurët. Dhjetëra miq dhe familjarë shkuan ta takonin. Pas katër ditësh, ai kishte vështirësi në frymëmarrje saqë u intubua dhe u transferua në Spitalin Columbia-Presbyterian – përsëri pa masa të veçanta. Atje, më 2 mars, atij iu dha një diagnozë covid-19 dhe u vendos në një gjendje kome mjekësore, në mënyrë që të ishte në ventilator, pa siklet. Tri javë më vonë, Garbuz ishte jashtë rrezikut. Deri në atë kohë, më shumë se njëzet e tre mijë njerëz në shtetin e Nju Jorkut kishin rezultuar pozitivë për koronavirusin.
Para se Garbuz të shkonte në spitalin Bronxville, ai kishte marrë pjesë në një varrim dhe në një mitzvah – duke ekspozuar pa e ditur, më shumë se njëqind familje. Për fat të keq, ai duket se ka qenë një përhapës efikas i virusit: gruaja e tij, dy fëmijët që jetonin në shtëpi, shoku i tij që e çoi në spital dhe një infermiere që e trajtoi atë shpejt dolën pozitivë për virusin. Në total, Garbuz ishte në qendër të një shpërthimi të nëntëdhjetë infeksioneve.
Diagnoza e tij u raportua në një kohë kur Amerika ende shpresonte të shmangte katastrofën që kishte ndodhur në Kinë dhe Itali. Më 3 mars, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, shkroi në Twitter emrin e firmës ligjore të Garbuz – “Lewis dhe Garbuz” – dhe përmendi se ku e ndiqnin shkollën fëmijët e tij. Qëllimi i Kryetarit të Bashkisë ishte të paralajmëronte këdo që mund të ketë rënë në kontakt me familjen, por efekti ishte të shkelte privatësinë e një pacienti. Një komentues i befasuar pyeti në Twitter, “A mund të nxirrni vërtet kaq shumë informacione për një person nëse rezulton pozitiv?”

Adina Lewis kishte përdorur prej kohësh rrjetet sociale për të kronikuar ulje-ngritjet e jetës së saj personale. Pas tweet-eve të de Blasio, ajo shkroi në Facebook, “Unë kërkoj nga të gjithë ne që jemi duke vrapuar në rrotën e jetës, veçanërisht ne njujorkezët, të mësojmë nga kjo dhe të lëmë një moment të kujdesemi për veten”. Shumica e përdoruesve të Facebook-ut, që komentuan në postimin e saj i uruan burrit të saj shërim të shpejtë. Një grua me emrin Nora Madonick tha, :Se dikush do ta konsideronte këtë diçka tjetër përveçse një situate tmerrësisht fatkeqe pa asnjë faj, është e paimagjinueshme”. Të tjerët po cingëriteshin. Një djalë i ri, të cilin Garbuzët nuk e kishin takuar kurrë shkruante “Shpresoj që biznesi juaj të mos rimëkëmbet kurrë për ato që burri juaj na ka sjellë”. Armiqësia e drejtuar ndaj familjes u përhap përtej sferës dixhitale. Një lavanderi në New Rochelle,, refuzoi të lante rrobat e familjes dhe për më shumë se një javë posta e tyre ndaloi së dorëzuari; vetëm pasi Lewis u ankua te kryetari i qytetit ajo rifilloi.
Në festën hebraike të Purimit, Lewis u kthye në Facebook për t’u uruar të tjerëve një festë të mbarë dhe komentoi se ajo po përpiqej të shihte “bekimin” në “këtë ngërthim virusi”. Ndoshta burri i saj ishte «lajmëtar i diçkaje të mirë» dhe «sëmundja e tij ishte në gjendje të na bënte të gjithëve të vetëdijshëm për problemin». Ajo u kujtoi njerëzve se burri i saj nuk kishte pasur ndonjë faktor të njohur rreziku. “Le të qëndrojmë të gjithë racionalë dhe të qetë”, nxiti ajo. “Le të vazhdojmë të gjejmë humorin në absurdin e të gjithave. Pres që të jem në gjendje të qesh me kohën kur të gjithë u ‘koronazuam’ (një folje që sapo krijova) me të gjithë ju. “
Postimi nxori më shumë se katërqind komente – shumë prej tyre të ashpra. Një banor i Rye shkroi, “Një bekim?” dhe vazhdoi, “Ai nuk shkoi në një festë, por në tre. Ai vazhdoi të udhëtonte me metro në veri. Ai po kollitej. Duart i ishin mbushur me mikrobe. Kushdo që i preku, u sëmur. . . . Ishte e pamenduar dhe e pamatur ”. Një burrë nga Queens shkroi, “Ai vazhdoi të shkonte në sinagogën ku rabini dhe anëtarët e tjerë dolën pozitivë, të cilët më pas e përhapën atë në qindra njerëz dhe tani Nju Jorku ka mbi 20,000 raste dhe 157 njerëz kanë vdekur në qytet dhe njerëzit nuk munden paguajnë qiranë. Mos e quani këtë një bekim”. Një komentues tjetër tha: “Unë kam pasur një leje të anëtarit të familjes për shkak të covid-19. Unë nuk do ta përshëndes burrin tënd si hero! ” Pastaj ishte i riu që i kishte thënë Lewis se shpresonte që karriera e burrit të saj të mos rimëkëmbej. “Ai meriton të vdesë”, shkroi ai. “Ai është i poshtër. Rrezikoi qindra mijëra njerëz. Ai kurrë më nuk do të jetë në gjendje të jetojë në Nju Jork dhe e meriton këtë”.
***
Njerëzit me sëmundje ngjitëse shpesh kanë qenë shënjestra të turpërimit. Në vitin 1907, Mary Mallon, një kuzhiniere për familje të pasura në Nju Jork, u konfirmua si bartësja e parë e shëndetshme, e baktereve tifoide. Ajo kishte infektuar pa dashje shtatë nga tetë familjet për të cilat punonte. Mallon u çua në karantinë, por nuk pranoi përgjegjësinë: si mund të infektonte të tjerët nëse nuk ishte e sëmurë? Ajo u la e lirë nga karantina, pasi ra dakord të mos punonte më si kuzhiniere. Por ajo ndryshoi emrin e saj dhe filloi të gatuajë për një familje të re, duke shkaktuar më shumë infeksione. Me forcë u kthye në karantinë, u denoncua në gazeta dhe iu dha një pseudonim i paharrueshëm: Tifoidja Mary. Një artikull paraqiti një ilustrim të një gruaje që skuq kafka në një tigan. Në një letër që Mallon shkroi më 1909, ajo u ankua se ishte bërë “një shfaqje nga vrima e çelësit, për të gjithë”.
Gjatë epidemisë së gripit të vitit 1918, ShBA ishte në luftë dhe shumë zyrtarë përdorën gjuhën e patriotizmit për të inkurajuar pajtueshmërinë me politikat që parandaluan infeksionin. Në San Francisko, maskat u bënë të detyrueshme dhe atë tetor, njëqind banorë të qytetit u arrestuan për shkelje të rregullit. (Harresa më e lypur.) Kronika publikoi një listë me emrat e shumë prej shkelësve, duke shpjeguar: “Burri, ose gruaja, ose fëmija që nuk do të mbajnë maskë tani është një bishtnues i rrezikshëm”.

Turpërimi ka qenë pjesë e çdo epidemie të mëvonshme, nga Aids te Sars, por asgjë nuk e përgatiti botën për mbizotërimin e saj gjatë krizës covid-19. Në një kohë kur jeta e zakonshme shoqërore është eliminuar, përdorimi i mediave sociale po rritet dhe aktet e zakonshme mund të jenë të rrezikshme, pothuajse çdo ditë shënohet me valë të shumta të zemërimit në internet. Njerëzit janë turpëruar për grumbullimin e letrës higjienike dhe peshqirëve prej letre, për dyndjen në dyqane për të blerë artikuj ushqimorë dhe për porositjen nga shtëpia. Ata janë turpëruar për mos mbajtjen e maskës ose për mbajtjen e maskave mjekësore në rrugë. Ata janë turpëruar që i kushtojnë shumë vëmendje shëndetit të tyre dhe që nuk janë mjaft të vëmendshëm. Në Mbretërinë e Bashkuar, policia ka vendosur filmime me dronë për të vënë në siklet shëtitësit e qenve, për përdorimin e kafshëve shtëpiake si pretekst për t’u përfshirë në aktivitete jo thelbësore. Në Florida, një burrë i veshur si Grim Reaper, i cili u ka kujtuar njerëzve në plazhe të mbajnë distancën, ka marrë kërcënime me vdekje në internet.
Turpërimi dixhital duket të bëhet veçanërisht virulent, kur nuk ka marrëveshje mbi atë që përbën sjellje të saktë. Shumë statute të covid-19 janë të paqarta; epidemiologjia prapa sëmundjes është në fluks. Sa afër është shumë afër për plazhistët që të marrin rreze? A janë të pavlefshme fularët e qafës në përmbajtjen e spërklave tuaja apo po aq efektive sa maskat tradicionale? Ndërkohë, ShBA po drejtohet, nga një president i cili nxjerr një pjesë të fuqisë së tij politike nga nënvlerësimi i ekspertizës. Për habinë e liberalëve, ai i rezistoi mbajtjes së maskës dhe përbuzja e tij është pasqyruar nga shumë ndjekës të tij, të cilët i dënojnë mbajtësit e maskave si “dele”.
Kur dy vëllezër nga Tenesi grumbulluan gati tetëmbëdhjetë mijë shishe me higjienizues duarsh për t’i rishitur në internet, përdoruesit e mediave sociale i gllabëruan ata. “Shpresoj që burri nga Tenesi të pësojë mbidozë me pastrues, pasi është një mut kaq i padobishëm, i neveritshëm,” shkroi një grua nga Nju Xhersi. Të turpëruar, vëllezërit ranë dakord t’i dhuronin mallrat. Njëri prej tyre lëshoi një falje publike, duke thënë, “Nëse veprimet e mia kanë ndikuar drejtpërdrejt tek dikush dhe nuk ishte në gjendje të merrte higjenizues nga një prej dyqaneve lokale, sepse i kisha blerë të gjitha, më vjen keq”. Ai më pas i tha Times, “Nuk jam ky si person. Dhe gjithçka që më është thënë për 48 orët e fundit, është sa nga ai person jam. ” Augusta Chronicle , duke deklaruar se ishte shërbyer drejtësia, tha: “Gjykata e gjerë e opinionit publik është jashtëzakonisht e përshtatshme për të turpëruar oportunistët e paqartë moralisht”.
Edhe pse publiku i ka trajtuar përhapësit sikur ata kishin për qëllim t’ia transmetonin sëmundjen të tjerëve, incidentet në të cilat dikush me qëllim ka përhapur covid-19 tek njerëz që nuk dyshojnë kanë qenë praktikisht inekzistente. Në mars, ABC News raportoi se FBI. kishte këshilluar zbatimin e ligjit lokal se grupet e ekstremit të djathtë po planifikonin t’ua kalonin virusin armiqve të tyre, duke dërguar mbështetës të infektuar te shërbimet hebraike dhe duke spërkatur oficerët e policisë me lëng të infektuar. Asnjë akt i tillë nuk ka ndodhur.
***
Kur filloi pandemia, Wojciech Rokita, një gjinekolog dhe obstetër në Kielce, Poloni, po shërbente gjithashtu si një konsulent shëndetësor qeveritar, për rajonin përreth qytetit. Nën drejtimin e tij, shkalla e vdekshmërisë neonatale të zonës kishte shkuar nga më e keqja në vend, në më të mirën. Në vitin 2018, kur ai ishte pesëdhjetë e dy vjeç, kolegët e tij e zgjodhën atë kryetarin e Shoqatës Polake të Gjinekologëve dhe Obstetërve. Rokita, një perfeksionist krenar, ishte i njohur për qortimin e vartësve që bënin gabime.
Në 8 Mars, para se Polonia të kishte ndonjë rast të njohur të covid-19, Rokita dhe gruaja e tij u bashkuan me një çift tjetër në pushime për ski, në Alpet Zvicerane. Në vendpushimin e skive, Rokita, i cili kishte ndihmuar në krijimin e udhëzimeve për trajtimin e pacientëve të infektuar obstetrikë në rast të një shpërthimi të koronavirusit në Poloni, shpesh kontrollonte lajmet për të monitoruar përhapjen e infeksionit në Europë. I shqetësuar se një shpërthim në Zvicër po bëhej akut, ai e çoi u kthye në shtëpi më herët sesa pritej. Ndërsa ishin larg, Polonia kishte raportuar rastin e saj të parë të covid-19. Tri ditë pasi ai shkoi në shtëpi, vendi mbylli kufijtë.
Për shkak se puna e Rokitës përfshinte kontakte me pacientë, ai u testua. Rezultatet vonuan tridhjetë orë. Në ndërkohë, ai zhvilloi disa detyra, duke përfshirë marrjen e makinës së gruas së tij nga një dyqan riparimesh BMW. Më vonë atë ditë, ai u informua se ishte pozitiv. Ai filloi karantinën në spitalin ku punonte dhe foli me zyrën rajonale të agjencisë shëndetësore shtetërore, duke i dhënë emra të njerëzve me të cilët kishte qenë në kontakt.
Echo Dnia, një tabloid, shpejt mësoi se pacienti i parë në rajon që rezultoi pozitiv ishte një mjek lokal. Gazeta postoi lajmin në internet dhe brenda tridhjetë minutash Rokita ishte përmendur në seksionin e komenteve. Një nga punonjësit në Përfaqësinë e BMW pretendoi se Rokita nuk kishte mbajtur distancë të sigurt nga punëtorët. Tabloidi nuk përmendi që ai nuk kishte marrë rezultatet e tij të testit, në atë kohë. Disa infermierë në spitalin e Rokitës i thanë gazetës se ai gjithashtu kishte kaluar nga vendi i tij i punës, duke shkelur masat sanitare. Komentet e indinjuara u përhapën, duke përfshirë edhe njerëz që e njihnin personalisht. “Unë sigurisht që nuk do ta le me kaq vetëm sepse – falë Zotit – nuk shkova në takimin tim”, shkroi në mënyrë anonime një punonjës spitali i cili ishte gjithashtu një pacient privat i Rokita-s. “Ai mund të më kishte infektuar me vetëdije dhe qëllimisht”. Ajo shtoi, “Pyes veten se sa gra nuk ishin aq me fat sa unë javën e kaluar”. Mbikëqyrja me video nuk tregoi asnjë shenjë se Rokita kishte qenë në spital para se të fillonte karantinën atje. (Gazeta fshiu komentet e punonjësit të spitalit – përfundimisht.)

Një komentues në faqen e internetit të Echo Dnia tha për Rokita, “Dikush duhet ta pështyjë në fytyrë”. Një tjetër shkoi, “Nëse ai shkoi për ski gjatë epidemisë, dhe ai është me të vërtetë një mjek, atëherë unë mendoj se ai është një i pamend”. Telefoni celular i Rokitës ishte aq i mbingarkuar nga thirrjet sarkastike saqë familja e tij nuk mundi të merrej vesh me të. Ata filluan të shqetësohen se dikush do të digjte shtëpinë e tyre.
Më 14 mars, Rokita, i mbyllur vullnetarisht brenda në spital, i telefonoi Echo Dnia dhe u lut që ngacmimi të ndalej. Redaktori i tha Rokitës se kufizimi i komenteve në faqen e gazetës në Facebook do të zemërojë më shumë njerëzit. Sipas vajzës së tij Karolina, redaktori u përpoq të bindë Rokita-n të fliste me një nga reporterët e tabloidit, në mënyrë që reputacioni i tij të rikthehej; babai i saj tha se ai do ta merrte në konsideratë. Dy ditë më vonë, shtypi raportoi shtatëqind e tridhjetë e katër infeksione të reja të dyshuara në Poloni. Të gjithë ishin të shqetësuar dhe disa njerëz ndien një komplot. Ditën tjetër, dikush shkroi në faqen e Echo Dnia në Facebook, “Mjaft me këtë bashkëpunim të ndyrë dhe gjëra të thella nën rrogoz!”
Rokita u përpoq të siguronte familjen e tij se drama së shpejti do të shfryhej, por privatisht ai ishte në agoni. Karolina më tha: “Ai ishte i mbingarkuar. Jo vetëm me sasinë e komenteve të urrejtjes, mesazheve, telefonatave që po merrte – madje në orën 4 të mëngjesit – por edhe me faktin se sulmi erdhi nga njerëz që ai i njihte dhe i kishte ndihmuar në të kaluarën”. Rokita u prek kur një mik i vjetër i dërgoi një mesazh të thjeshtë: “Si po ndihesh?” Rokita shkroi përsëri, “Jam akoma gjallë”.
Atë ditë, ai i bëri video-thirrje Karolinës, nga spitali. Ajo e pyeti nëse ishte aq i trishtuar sa dukej. “Jam thjesht i lodhur”, tha ai. “Shumë i lodhur”. Atë mbrëmje, gruaja e tij e thirri në celular, por ai nuk u përgjigj. Të nesërmen, Echo Dnia raportoi se Rokita kishte vrarë veten. Gazeta e mori këtë informacion para se ta merrte familja. Një komentues në internet shpejt zbuloi se Rokita kishte vdekur, duke u varur.
Karolina mendon se veprimi i babait të saj kishte për qëllim t’i jepte fund gjuetisë së shtrigave kundër familjes së tyre. Ajo më tha: “Në të njëjtën mënyrë si ne ishim të frikësuar për të, ai ishte frikësuar për ne”.
Përfundimisht, edhe fushata më e ashpër turpëruese shuhet. Interesi publik zbehet, dhe tweet-et e dhimbshme zhduken nga ekranet e të gjithëve. Kush i mban mend akoma skandale të tilla si #PlaneBreakup apo #CecilTheLion? Lawrence Garbuz doli nga spitali në fund të marsit. Që atëherë, ai ka qenë në shtëpi, duke u shëruar. Kur e thirra, në korrik, ai me mirësjellje nuk pranoi të fliste për përvojën e tij. “Unë nuk e kam Google-uar emrin tim”, tha ai. “Ndoshta nuk dua”. Dhimbja e familjes Rokita vazhdoi. Sipas Karolinës, asnjë shtëpi funerale nuk do të merrte trupin e babait të saj. Ai ishte djegur, por zyrtarët e spitalit këmbëngulën që familja e tij të shkonte në një vend jashtë kufijve të qytetit për të shpërndarë hirin e tij, sikur të kishte qenë një lebroz mesjetar. (Një mjek i lidhur mirë e bindi spitalin ta rishikonte vendimin.) Redaktori i Echo Dnia më tha se i vjen keq për vdekjen e Rokitës, megjithëse vuri në dukje se nuk ka asnjë shpjegim zyrtar për vetëvrasjen dhe tha: “Redaksia bëri të gjitha përpjekjet për të minimizuar ndikimin e urrejtjes që shfaqet në seksionet e komenteve. ” Megjithatë, edhe pasi Rokita vdiq, posterët në internet vazhduan ta përjashtojnë atë. Disa e quajtën vetëvrasjen e tij një reagim të tepërt budalla. Tre javë pas vdekjes së Rokitës, Gazeta e respektuar e Varshavës “Wyborcza”, publikoi një rrëfim të dhembshur të kalvarit të familjes, por edhe ajo histori u përshëndet me përgjigje të keqe në internet. Një postues mendonte se Rokita nuk duhej të shqetësohej nga të gjitha denoncimet në internet për të. “Çfarë e interesoi atë , në komentet që linin idiotët?” pyeti një postues tjetër. “Çfarë katastrofe!” Ky person spekuloi se Rokita duhet të ketë pasur një arsye tjetër për të vrarë veten: “Ndoshta ai merrte ryshfet dhe kishte frikë se do t’i dilte”.
Askush në Zvicër nuk dihet se e mori virusin nga Rokita. Gruaja e tij dhe çifti që udhëtuan me ta mbetën të shëndetshëm. Zyrtarët në Kielce nuk mund të zbulonin tek ai një infeksion koronavirus. Gruaja e tij fillimisht kishte një test pozitiv, por ajo nuk u sëmur dhe një ritestim tregoi se ajo ishte negative. Prandaj, mostra e provës së vetë Rokitës po rivlerësohet. Rezultatet janë vonuar për muaj me radhë dhe Karolina dyshon për një fshehje, për të fshehur paaftësinë zyrtare. Ajo tregon se testi i babait të saj covid-19 ishte i pari që u krye në rajon. Ndërsa Garbuz pothuajse me siguri përhapi sëmundjen, qoftë edhe pa dashur, Rokita padyshim që nuk e përhapi atë tek askush. Është e mundur që ai kurrë të mos ketë pasur covid-19 fare.

***
Më 28 Shkurt, Rijo Moncy, një radiolog njëzet e gjashtë vjeç në një spital në Itali, fluturoi nga Venecia në Kochi, Indi, me prindërit e tij. (Ata të gjithë kanë lindur në Indi por kanë jetuar në Itali që kur Rijo ishte fëmijë.) Në Kochi, familja Moncy, në vend që të karantinoheshin vetë, dolën menjëherë për të vizituar miqtë dhe të afërmit. Pas pak, një xhaxha u sëmur, i ndjekur nga Rijo Moncy dhe nëntë anëtarë të tjerë të familjes. Gjyshi nëntëdhjetë e tre vjeç i Moncy, me të cilin ai ndante një lidhje të veçantë, ishte midis të infektuarve.
Pasi familja kërkoi kujdes mjekësor, emrat e tyre u zbuluan në shtypin indian. Trollet filluan t’i sulmonin ata në internet – me disa që bënin thirrje për fshikullime publike. Familja u sulmua me mesazhe që i akuzonin ata për sjelljen e qëllimshme të virusit nga Italia. “Pjesa më e keqe nuk ishte virusi”, më tha Moncy. “Ishin sulmet në rrjetet sociale”. K. K. Shailaja, ministri krahinor i shëndetësisë në Kerala, denoncoi familjen si “të papërgjegjshme”. Familja Moncy gjetën strehë në Bibël.
Moncy dhe prindërit e tij përfundimisht shkuan në një qendër mjekësore në Pathanamthitta, dhe kjo ishte kur gjërat u kthyen mbrapsht. Spitali u dha atyre kujdes të mirë dhe ata nuk u stigmatizuan. Moncy i tha Telegrafit të Indisë, “Ata na dhanë një tortë, pako ushqimore. . . dhe disa racione të cilat kurrë nuk i kemi pritur nga një spital qeveritar. ” Një infermiere që trajtoi të tjerët në familje mori virusin, por ajo nuk u zemërua për këtë. “Kjo është puna jonë,” tha ajo. Në internet, ofenduesit u qetësuan pasi Moncy kërkoi falje, në media të ndryshme, për gabimet e familjes. “Ne i falënderuam të gjithë”, vëren ai. “Edhe njerëzit që na kishin ofenduar”.
Brenda një muaji, të gjithë anëtarët e familjes kishin dalë nga spitali, përfshirë gjyshin, i cili, si personi më i vjetër në Indi që u shërua nga covid-19, u bë një hero kombëtar. “Ai u dha njerëzve guxim”, më shpjegoi Moncy. Në një intervistë për një revistë kombëtare, ai tha për gjyshin e tij, “Falë Zotit që jeton në Kerala. Po të kishte qenë në Itali ose Shtetet e Bashkuara, do të lihej të vdiste”.
Moncy është kthyer në Itali dhe është kthyer në punë. Ai mbetet i habitur që përvoja e tij turpëruese përfundoi pozitivisht. Indianët mësuan nga fatkeqësia e familjes së tij dhe u bënë më tolerantë. “Kishte kaq shumë injorancë më parë”, më tha ai. Shailaja, ministrja e Shëndetësisë i cili i kishte shtyrë ata, e kontaktoi pasi dolën nga spitali. “Ajo është një person i mrekullueshëm, shumë i zgjuar”, tha Moncy. “Ajo na thirri në shtëpi, për të parë se si ishim”. Sulmet e mediave sociale kanë përfunduar. Gjatë zhurmës, Moncy më tha, ai kishte shkarkuar disa prej tyre në telefonin e tij. “Tani i kam fshirë”, shtoi ai. “Kështu që mund të përpiqem të harroj”. / The New Yorker. Përktheu: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




