Gazeta “Si”- Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti në një prononcim për Gazetasi.al thotë se rastet e shtuara në shërbimin parësor me Covid-19 po tregojnë shndërrimin e tij në grip sezonal dhe viroza të stinës me simptoma 3-4 ditë me temperaturë, rrufë dhe inflamacion të rrugëve respiratore.
Sipas tij, jemi në një situatë të qetë të pandemisë prej 2 vitesh ndaj nuk duhet të shqetësohemi.
“Shifrat që raportojnë spitalet më japin shpresë se pandemia po kthehet në endemi siç e kishim parashikuar, ndërsa unë prej 18 shkurtit nuk kam asnjë pacient me Covid”, thotë doktor Alimehmeti.
Sipas Alimehmetit, kjo situatë endemike do të vijojë deri në vjeshtë dhe pak kush e di nëse Omicron, variant që po vijon të mbizotërojë në botë, do të ketë nënvariante të reja.
Mjeku thekson se e rëndësishme është të kuptohet se vjeshta dhe dimri që presim do të jetë shumë herë më mirë se dy dimrat që kaluam gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Askush nuk di të na thotë se si do të jetë situata në vjeshtë. Sigurisht që presim më shumë raste të Omicron, gripit stinor dhe virozave, por analiza e PCR, (ngarkesa virale) do të tregojë nëse është grip apo Covid. Me këtë rast, falë PCR ne do të mësojmë dhe rastet e gripit stinor në vend”, thotë doktor Alimehmeti.
Mjeku Alimehmeti thekson se rritja e rasteve të pritshme me Covid-19 do të ketë si shkak dhe uljen e mbrojtjes së imunitetit prej vaksinave anticovid.
Por si është situata aktualisht në qendrat shëndetësore?
Mjekët e familjes raportojnë për fluks të vizitave që në pamje të parë të japin idenë e prekjes së pacientit nga gripi apo viroza.
“Pjesa më e madhe e tyre janë mosha aktive, 25-50 vjeç. Ata vijnë me shenja të gripit, rrufë e kollë si dhe temperaturë të lartë deri në 39 gradë. Pas analizave që kryejnë, shumica e rasteve rezultojnë me Covid por në gjendje të qetë, pa probleme me saturimin”, thonë mjekët e shërbimit parësor për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje