Biznes

Panair për punësimin dhe rekrutimin në Tiranë në kohën e ‘dorëheqjes së madhe’

Në mesin e një krize botërore të punësimit, që ka prekur edhe Shqipërinë, në kryeqytet do të zhvillohet panairi i punësimit dhe aftësimit me qëllimin e dyanshëm, të paraqitjes së raportit ofertë-kërkesë të tregut të punës në vend.

Panairi dyditor që do të zerë vend në Pallatin e Kongreseve, do të mbahet në datat 23-24 shkurt ku do të jenë prezentë stafe dhe personalitete të fushave të ndryshme në vend.

Orneda nga platforma e rekrutimit të punonjësve “Profesionisti” në Çelësi Media Group, një ndër kompanitë që do të jenë pjesë e panairit, tregon për Gazetasi.al se aty do të ketë rreth 25 kompani me stendat e veta të sektorëve të retail, shërbimeve, mjekësisë dhe sektori bankar. Të gjithë me synimin e rekrutimit dhe punësimit sipas vakancave dhe aftësive.

Orneda thotë se momentalisht më shumë nevojë për punonjës ka sektori i retail-it, ai i shitjeve. Ndërkohë që lista plotësohet edhe me pozicione të tjera pune në fushat e marketingut, financës, retail, import/eksport etj.

Gjatë dy ditëve, në panairin e iniciuar nga Ambasada Greke në Shqipëri, bizneset do të kryejnë takime b2b me njëra-tjetrën, do të jenë pjesë e talk show-ve, trajnimeve dhe fjalime nga personalitete të fushës.

“Trendi” botëror postpandemik i dorëheqjeve masive nga vendet e punës, kapi edhe Shqipërinë. Pronarë të bizneseve dhe punëdhënës pranonin se as rritja e pagës nuk i mbante më ata në punë duke krijuar kështu një krizë dhe një hendek midis kërkesë dhe ofertës në tregjet e punës. Cilësuar si “Dorëheqja e madhe” në botë, rolet u ndërruan. Ka vende pune bosh, paga të rritura, por forcë punëtore që refuzon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë