Nga Gazeta ‘Si’- Për Tedi Blushin, arrestimi i Ilir Metës iu është ofruar shqiptarëve si një show dhe këtë gjë e vërteton dhe videoja që sipas tij u bë nga struktura kriminale e SPAK.
Ai shtoi se Struktura e Posaçme nuk guxon t’iu përmendë emrin atyre që po vjedhin Shqipërinë çdo ditë.
“Meta është shkëlqyeshëm. Pamjet që ju patë dhe që panë shqiptarët u shpërndanë nga struktura kriminale e SPAK e cila u kujdes që ta servirte si një show. Fakti që këta u kujdesën që të organizonin këtë shfaqje tregon se sa kriminale është Prokuroria e Posaçme, e cila nuk guxon t’iu përmendë emrin atyre që janë duke vjedhur qindra milionë euro”, tha Blushi.
Ai është shprehur se sot mund të ketë patur dhe një tentativë për ta eliminuar fizikisht presidentin e Partisë së Lirisë.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së ndër të tjera u bëri thirrje drejtuesve të burgjeve të tregojnë shumë kujdes.
“Mund të ketë patur tentativë dhe për ta eliminuar fizikisht. U bëj thirrje drejtuesve të burgjeve të bëjnë shumë kujdes”, tha Blushi.
Ai gjithashtu deklaroi se do të ketë betejë dhe përballje.
“Nuk ka ndryshim nga ajo që kemi thënë. Sot mbledhim forumet. Linja nuk ndryshon! Sigurisht do të ketë aksion. Kemi qenë në aksion pa ndodhur kjo ngjarje, jo më tani. Aksion dhe përballje dhëmbë për dhëmbë, sy për sy. Kështu e meritojnë, siç e meritojnë armiqtë më të këqij të këtij populli”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




