Politike

Paloka: Masiviteti, test për ne. Mjafton pjesëmarrja, nuk do përmbysim sot regjimin (Berisha do flasë, pak rëndësi ka forma)

Protesta e sotme para kryeministrisë pritet të jetë një test politik edhe për bashkimin e fundit të dy grupimeve politike brenda PD-së, grupi ‘Bardhi’ dhe PD e Rithemelimit.  

“Nesër (sot) do të shohim realisht nëse do të kemi mbështetjen aq sa presim të shqiptarëve, do të kemi një mënyrë reflektimi dhe veprimi. Nuk po them shifra, por duhet që shqiptarët ta tregojnë nesër që ne, shumica e shqiptarëve jemi kundër këtij regjimi. Prania e tregon këtë. Pak a shumë të dimë ku jemi, pas kaq vitesh që opozita ishte e përçarë, pas emigrimit masiv të shqiptarëve,” u shpreh deputeti i PD-së, Edi Paloka në studion e “Debat” në A2CNN.

Nëse reagimi i qytetarëve shqiptarë nuk do të jetë i konsiderueshëm, Paloka tha se aktet në vijim duhet të jenë më të forta.

Sipas deputetit demokrat përmes pjesëmarrjes në tubim, shqiptarët do të japin sinjalin nëse janë ose jo dakord me regjimin që sipas tij është instaluar në 12 vite në vend.

“Nesër na duhet në një farë mënyrë të masim forcën po me praninë sa më masive të qytetarëve. Problemi është se na thonë pse s’na thërret opozita në protestë, ata që s’duan të protestojnë thonë se nuk vijmë tani se na ka thirrur politika. Të gjithë shqiptarët, të majtë dhe të djathtë kanë një mijë arsye të protestojnë. Nuk e kam për grupet që në këto 12 vite të qeverisë Rama kanë arsye për të protestuar, njerëz që ju janë prishur shtëpitë, bizneset etj... Masiviteti është tregues sesa ajo pakënaqësia, revolta, që njerëzit e shprehin nëpër kafene, shtëpi, rrjetet sociale. Nesër duhet të dalin, ju kam thënë të paktën tregojeni me prani që jeni kundër një regjimi të tillë. Thjeshtë të jenë aty. Nuk kërkohet ndonjë sakrificë e madhe, as do përmbysim nesër regjimin. Thjeshtë të jenë të pranishëm dhe të tregojnë që ne nuk jemi dakord më me këtë që po ndodh në Shqipëri"

“Nesër (sot) kryesoja është që njerëzit me praninë e tyre ta shprehin revoltën në shesh. Ka thënë Berisha jo unë: Popullin njëherë e drejton, njëherë të drejton. Ne nuk kemi ndërmend të ndalim askënd. Nesër për fat të mirë ose të keq do të jemi të gjithë njësoj. Sepse Berisha është në arrest dhe nuk do të jetë në drejtimin e protestës, ne të tjerët jemi të gjithë njësoj. Madje njëlloj me qytetarët që do të jenë aty të pranishëm. Nuk ndalim askënd.”

I pyetur në “Debat” për skenarin e protestës, Paloka iu shmang zbulimit të detajeve të hollësishme, por konfirmoi se Sali Berisha do të mbajë fjalën e tij në shesh.

Forma sesi ish-kryeministri do t’u drejtohet qytetarëve mbetet për t’u parë nesër sipas Palokës, i cili me batutë nuk përjashtoi as mundësinë e thyerjes së arrestit shtëpiak.

“Sigurisht protesta do të ketë një agjendë të sajën, por unë vetë dhe gjithë drejtuesit e tjerë të PD nuk kemi ndërmend të ndalim askënd për formën që do të dojë të protestojë dhe të shprehi revoltën e tij. E di që do ketë një fjalë të Sali Berishës të paktën. Këtë do ta shohim nesër. Berisha nesër do t’ju flasë qytetarëve që do të jenë në protestë. Mund t’i teket Berishës të dali, ça ti them unë pastaj. Ai është në masën e një arresti politik. Këtu nuk ka drejtësi për fat të keq, sepse po të funksiononte një segment i saj do kishte një shpresë që mund të vinte ndryshimi dhe pa forma të ashpra. Berisha nesër do t’u drejtohet qytetarëve, forma pak rëndësi ka.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë