Analize

Palmer, nxënësi më i mirë i Albright që do të ndryshojë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga Xhuliana Toci- Në vitet 1999, kur ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright, mbante bisedimet maratonë me diktatorin serb Sllobodon Millosheviç për ta bindur të tërhiqte trupat nga Kosova, dhe t’i jepte fund gjenocidit ndaj shqiptarëve, pak e mbajnë mend të riun që shfaqej gjithnjë i heshtur krah zonjës së hekurt, në kërkim të një zgjidhje për konfliktin e përgjakshëm.

Edhe pse kanë kaluar 20 vite, shqiptarët dhe serbët nuk kanë arritur ende një marrëveshje finale, por kësaj radhe Mathew Palmer duket se është rikthyer për të përfunduar të gjitha detyrat e lëna përgjysmë. Tani që dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka dështuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të marrin sërish “frenat” për të udhëhequr shqiptarët dhe serbët drejt arritjes së marrëveshjeje përfundimtare, duke e emëruar Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin.

Kjo lëvizje ka të ngjarë të sjellë ndryshime të jashtëzakonshme në rajon, të cilat do të fillojnë pikërisht nga aty ku ai e nisi, Kosova, për t’u përhapur më pas edhe në Shqipëri, ku Palmer e pret investimi më i madh i SHBA-së në vendin tonë: Reforma në Drejtësi.
Sa herë që dikush në Departamentin Amerikan të Shtetit ka një çështje që lidhet me Kosovën, Shqipërinë, Serbinë apo Bosnjë Hercegovinën, nuk është çudi të këshillohet me Mathew Palmer, pasi diplomati amerikan cilësohet jo rrallë herë si "njeriu i Ballkanit" në Uashington.

Analisti i shquar i Ballkanit Perëndimor dhe profesori i shkollës së "John Hopkins", Daniel Serwer thotë në një interviste ekskluzive për Gazetën “Si”, se Palmer është njeriu që i duhet rajonit në këto momente.

“Mat është një njeri i shkëlqyer, me një zemër të madhe. Dhe mbi të gjitha, ai e njeh mirë Ballkani” i thotë ai Gazetës “Si”.

Përfaqësuesi i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin, Mathew Palmer, Gazeta Si, 7 shtator 2019

Ndërkohë për ish-Ambasadorin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, diplomatin Agim Nesho, emërimi i Palmer është një sinjal se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të rimarrin rolin e tyre si “lojtari kryesor” në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë ndryshime tektonike në rajon.

“Ky është veprimi i parë i Departamentit të Shtetit që duket më shumë si një kthim vëmendje ndaj Ballkanit Perëndimor sesa si hap konkret në zgjidhjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi” i thotë ai Gazetës “Si”.
Por si është pritur ky vendim në Beograd dhe çfarë pret Serbia nga zoti Palmer? Gazeta “Si” ka biseduar edhe me analistin e njohur serb, Nikola Burazer, po ashtu redaktor i medias së njohur “European Western Balkans”. Burime pranë zyrës së presidentit serb dhe Burarez i thotë gazetës se Aleksandër Vuçiç e ka të qartë se Palmer nuk tërhiqet nga kërkesa për njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që nuk dëmton interesat amerikane në Ballkan.

Analisti serb thotë se “nxënësi më i mirë” i ish-sekretares Albright pritet të punojë intensivisht për misionin e tij për të vendosur paqe mes Beogradit dhe Prishtinës përpara zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Por kush është i dërguari i Amerikës për rajonin dhe përse ishte Palmer ishte i zgjedhuri i Shtëpisë së Bardhë?

Përfaqësuesi i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin, Mathew Palmer dhe presidenti Hashim Thaci Gazeta Si, 7 shtator 2019

Ndërkohë Daniel Sewer, thotë së çelësi për suksesin e kësaj qëndron në duart e shqiptarëve dhe jo të zotit Palmer. I pyetur nga Gazeta Si se nesë Palmer do të ndihmojë në implementimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke lënë shumë politikanë të korruptuar në duart e drejtësisë, eksperti amerikan thotë se: "Përgjigja e kësaj pyetje qëndron tek shqiptarët, jo Matt Palmer. Ai mund të ndihmojë, por nuk mund ta bëjë vetë të gjithë punën për implementimin e kësaj reforme".

Nuk janë të paktë ata që besojnë se emërimi i Palmer si i dërguar i posaçëm për Ballkanin perëndimor do të sjellë ndryshime thelbësore në Shqipëri. Për shumë ekspertë, emërimi i diplomatit tregon se diplomacia amerikane jo vetëm po i jep rëndësi situatës që ndodhet Shqipëria dhe Ballkani, por investon edhe në zgjidhje për këto probleme. Të dërguarit e SHBA-së kanë bërë thirrje prej kohësh që qeveria shqiptare të ulet në dialog dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet me opozitën.

Sipas zotit Nesho, amerikanët do të insistojnë në realizimin e reformës në drejtësi se kanë investuar me fonde publike, nëpërmjet taksapaguesve të tyre amerikanë për të cilat japin llogari deri në një.

"Transparenca dhe llogaridhënia janë aspekte kyçe të mirëqeverisjes, për shkeljen e të cilave mbahet përgjegjësi, dhe jo si në republikat e bananeve të Ballkanit ku manipulohet dhe paratë publike investohen në tendera të dyshimta dhe asnjë nuk jep llogari. Është pikërisht ky insistim i tyre dhe korrektësi në zbatimin e detyrave që tek ne perceptohet si një ngulmim i tyre për realizimin e reformës në drejtësi", thotë diplomati për gazetën.
I pyetur nëse forcat politike në Shqipëri po përpiqen ta vonojnë dhe zvarritin reformën në Drejtësi, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB nuk e fsheh shqetësimin.

"Sigurisht po dhe kjo jo për shkakun e mospranimit të saj. Reforma në drejtësi u miratua nga parlamenti me 140 vota, me konsensusin maksimal. Problemi qëndron që çdo forcë politike që ka qenë në pushtet në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit ka bërë një reformë në drejtësi me prioritet kontrollin e drejtësisë me militantët e saj. E njëjta gjë ndodh edhe sot, pavarësisht se faktori ndërkombëtar është pjesë e lojës. Forcat politike kontrollojnë njëra-tjetrën, kanë dyshime të arsyeshme dhe përpiqen të arrijnë konsensusin. Kjo e vonon reformën në kohë, por nuk mund të ndalohet të realizohet plotësisht", shprehet diplomati, për të cilin, Reforma në Drejtësi duhet të tregojë së funksionon dhe se është e besueshme, duke filluar nga qeveritarët e sotëm.

Ish-ambasadori Agim Nesho, Gazeta Si, 7 shtator 2019


Matthew Palmer është prej 24 vjetësh pjesë e Shërbimit të Jashtëm në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai ka njohuri të thella për krizat ndërkombëtare dhe i ka ndjekur nga niveli zero shumë çështje të ngutshme globale, duke filluar nga Afrika dhe duke përfunduar në Kosovë. Si djali i shkrimtarit të njohur amerikan, Michael Palmer dhe vëllai i novelistit Daniel Palmer, të gjithë prisnin që Mathew t’i dedikohej letërsisë ashtu si familja e tij. Por 55 vjeçari zgjodhi një karrierë edhe më sfiduese, duke ia dedikuar pjesën më të madhe të kohës Ballkanit Perëndimor.

Palmer ka punuar si diplomat në të gjithë botën, por lidhjet e tij me Ballkanin janë veçanërisht të thella, pasi edhe bashkëshortja e tij është nga Serbia. Pasi shërbeu si diplomat në zyrën e ish-Jugosllavisë deri në fund të luftës së Kosovës në 1999, Palmer punoi edhe për tetë vite të tjera në Ambasadën Amerikane në Beograd, fillimisht si diplomat në kulmin e luftës në Bosnjë dhe së fundmi, si këshilltar politik. Përzgjedhja e tij duket të jetë gjithçka, përveçse rastësi, pasi Palmer ishte oficeri që përfaqësonte SHBA-në së bashku me Altbright në bisedimet me Millosheviçin për t’i dhënë fund të konfliktit të Kosovës në 1999. Ai dhe ish-sekretarja mbajtën një sërë bisedimesh maratonë me diktatorin serb për ta bindur të tërhiqte trupat nga Kosova, bisedime që kulmuan me Marrëveshjen e Rambujesë.

Por çfarë do të sjellë emërimi i Palmer për Shqipërinë dhe a do të punojë ai në veçanti për reformën në Drejtësi?

Për Agim Neshon emërimi i z. Palmer si i dërguar special i Sekretarit të Shtetit Pompeo është një strategji e Departamentit Amerikan të Shtetit jo vetëm për të rritur presionin ndaj Serbisë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes historike, por edhe për të çuar deri në fund atë që do të ishte një tjetër arritje historike për Shqipërinë: Reformën në Drejtësi.
Nesho thotë për Gazetën “Si” se kjo reformë është prioritet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Palmer si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit është ai që e mbikqyr në mënyrë direkte.


"SHBA janë investuar totalisht në realizimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Kjo ka qenë një nga strategjitë e Perëndimit që në vendet problematike si Ballkani ku krimi i organizuar, korrupsioni, fenomeni i kapjes së shtetit janë prezentë, një sistem drejtësie i paanshëm do të bënte të mundur funksionimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo është dhe një nga prioritetet e Departamentit të Shtetit dhe Palmer si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit e mbikqyr direkt", shprehet diplomati.

Në disa intervista pas vizitës së tij në Tiranë më 9 prill, Palmer bëri të qartë se të vetmen gjë që SHBA-ja nuk do të negociojë mes qeverisë dhe opozitës është reforma në drejtësi. Investimi i shtetit amerikan për këtë reformë, mbështetja e tyre logjistike, por sidomos ajo realizuese, është ndoshta investimi më i madh që SHBA-të kanë bërë për Shqipërinë gjatë periudhës së tranzicionit dhe në këtë pikë, Palmer duket se nuk do të bëjë asnjë lëshim.
Por sa kohë do t'i duhet Palmer për implementim e plotë të kësaj reforme dhe a do të jete presioni i tij ai që do të kthejë në dialog qeverinë dhe opozitën?

Marrëveshja Kosovë-Serbi

Askush nuk mund ta thotë me siguri, por ajo për të cilën Serwer, Nesho dhe Burazer janë të bindur është se testi më i madh i Mathew Palmer shtrihet dhjetëra kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, në Prishtinë, aty ku diplomatit amerikan do të negociojë me qeverinë e re që do të formohet pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit.

Në daljen e tij të parë publike në Bled të Sllovenisë, pas emërimit si i dërguar i posaçëm në Ballkan, Palmer konfirmoi se misioni i tij kryesor do të ishte marrëveshja Kosovë-Serbi, të cilën, si nxënësi i Albright, e cilëson jo vetëm si një arritje profesionale, por edhe personale. Por a është Palmer në luftë me kohën dhe cilat janë opsionet në tryezë për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve?

Analisti Amerika Daniel Serwer thotë për Gazetën “Si” se administrata aktuale në Shtëpinë e Bardhë po përpiqet të ulë Kosovën dhe Serbinë në tryezën e bisedimeve për të arritur një marrëveshje përpara zgjedhjeve parlamentare në Serbi në prill të 2020-ës.
"Do të isha i lumtur nëse do ta arrinin atë atëherë, por nuk do të mbështetesha tek ky afat", shprehet profesori amerikan, duke theksuar se shpreson se Palmer do të përpiqet të gjejë një zgjidhje brenda kufijve aktualë të Kosovës.

Daniel Serwer, Gazeta Si, 7 shtator 2019


"Çdo gjë tjetër mund të shkaktojë paqëndrueshmëri, pasi mund të jetë shumë e nxituar. Në veçanti, Prishtinës i duhet kohë për të mbajtur zgjedhjet e veta, të formojë një qeveri me shumicë solide në Parlament dhe të formojë një platformë për dialogun me Beogradin që ka një mbështetje më të gjerë", shprehet Serwer për gazetën.


Nga ana tjetër, analisti serb Nikola Burazer thotë në një intervistë me Gazetën “Si” se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin arritjen e një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit sa më shpejt që të jetë e mundur, por nuk ka gjasa të ketë një datë specifike se kur mund të nënshkruhet ky pakt.

"Sidoqoftë, deri në fund të vitit do të shohim një administratë të re në Bruksel dhe një qeveri të re në Prishtinë. Shtetet e Bashkuara me siguri do të donin të ndikonin në dialog në këtë fazë të re. Pozitat e Shteteve të Bashkuara dhe disa shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht Gjermania, mbeten të ndryshme, dhe është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohet situata", thotë analisti.

Sipas tij, emërimi i Palmer nuk ishte një surprizë, pasi Shtetet e Bashkuara nuk pushuan kurrë së qeni një lojtar i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, dhe diplomatët amerikanë kanë pasur gjithnjë një rol të madh pothuajse në të gjitha vendet e rajonit, sidomos në Kosovë dhe Shqipëri.

"Është e vërtetë, megjithatë, që pati një konfuzion në lidhje me politikën e SHBA-së në rajon pas ardhjes së Administratës Trump, pasi pozicionet e Shteteve të Bashkuara dhe disa shteteve anëtare të BE-së tani janë më pak të përafërta nga sa ishin. Por Shtetet e Bashkuara duket se e kanë kuptuar se duhet të kenë një prani më të fortë në mënyrë që të promovojnë interesat e tyre", i thotë analisti Gazetës "Si.

Nikola Burazer duke intertvistuar Mathew Palmer, Gazeta Si, 7 shtator 2019


Edhe sipas zotit Nesho, emërimi i Palmer është veprimi i parë i Departamentit të Shtetit për kthimin e vëmendjes në ndaj Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, sipas diplomatit misioni i Palmer për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve mund të rezultojë më i komplikuar nga sa ishte parashikuar. Sipas ish-ambasadorit, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama kërkojnë që kjo marrëveshje të "vuloset" përpara prillit 2020.

"Palmer kryen të njëjtën detyre funksionale si më parë, por me një titull më shumë. Emërimi i tij vjen pas një sërë iniciativash të marra më parë nga Departamenti i Shtetit. Këtu kam parasysh deklaratën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, dhe dy letra të shkëputura të Presidentit Trump drejtuar liderëve ballkanikë Vuçiç dhe Thaçit për arritjen e një marrëveshje mes dy vendeve. Lobistët dhe strategjistët amerikanë dhe të tjerë që po punojnë për pranimin e planit Vuçiç-Thaçi-Rama kërkojnë që kjo marrëveshje të firmoset përpara zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe Kosovë, duke qenë një angazhim ndërkombëtar për palët e tjera që do të vinin në pushtet sidomos me bekimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por duket se marrëveshja nuk do të jetë e lehtë si për tu hartuar ashtu edhe për tu zbatuar. Për tu hartuar kërkohet konsensusi politik i të dy palëve, që tashmë shihet qartë që nuk ekziston në Kosovë. Për tu zbatuar vështirë që do të mos përdoret kjo marrëveshje nga Rusia për interesat e saj, e cila do të përpiqet në Këshillin e Sigurimit të OKB ta kthejë në një quid pro quo për konfliktet e saj të ngrira në Euro-Azi", sqaron Nesho për gazetën.

"Mund të përmendim se një marrëveshje vetëm me amerikanët duke anashkaluar europianët do të jetë problematike dhe e vështirë. Personalisht mendoj që marrëveshja Kosovë-Serbi do të kishte shanset për tu mbyllur gjatë periudhës së parë ku dhe u përfshi Bolton dhe presidenti Trump. Midis kësaj periudhe kemi samitin e Berlinit të udhëhequr nga Merkel-Macron, gjë që e bën misionin e zotit Palmer shumë të vështirë në mos të pamundur", parashikon diplomati.

Përfaqësuesi i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin, Mathew Palmer dhe presidenti serb, Gazeta Si, 7 shtator 2019

Ashtu si Serwer, edhe Nesho thotë se ka një shtytje për arritjen e marrëveshjes si kusht për të dy vendet për të avancuar në integrimin e tyre në Bashkimin Europian. "Kusht për arritjen e marrëveshjes janë palët në marrëveshje dhe shqiptarët nuk duhet të jenë kaq bujarë që të prishin paktin për krijimin e republikës së tyre për tu dhenë mundësi serbëve të kënaqin nacionalizmin e tyre me një fitore që do të jetë me dhimbje për të dy palët, siç thotë Vuçiç", thotë ish-ambasadori.

Por a është Shtëpia e Bardhë ende e hapur për mundësinë e shkëmbimit të territoreve ose korrigjimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës dhe cili është qëndrimi i Palmer ndaj kësaj teze?
Burazer i thotë Gazetës Si se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë thënë shumë herë se ata nuk kanë "linja të kuqe" kur bëhet fjalë për përmbajtjen e marrëveshjes Serbi-Kosovë për sa kohë që të dy palët arrijnë të gjejnë një zgjidhje.

"Kjo nënkupton që për Palmer ndryshimet territoriale mund të jenë të pranueshme. Sidoqoftë, unë besoj se Shtetet e Bashkuara favorizojnë me forcë një marrëveshje që me të vërtetë do të nënkuptojë një njohje zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dhe do të zvogëlojë kështu rolin e Rusisë në rajon. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara do të kenë kujdes që zgjidhja e mundshme të mos destabilizojë vendet e tjera të rajonit, pasi kjo do të sillte më shumë dëm sesa të mirë në planin afatgjatë", paralajmëron analisti serb.
Kur bie fjala tek shkëmbimi i territoreve, edhe profesori Serwer ndan të njëjtin qëndrim me ish-ambasadorin Nesho dhe Burazer, duke e cilësuar si një ide të keqe.

"Ishte një ide e keqe pranverën e kaluar, është një ide e keqe tani dhe do të jetë e keqe pranverën e ardhshme. Për fat të mirë, shumica e njerëzve si në Serbi ashtu edhe në Kosovë duket se pajtohet me mua", i thotë profesori amerikan Gazetës Si.
Dhe në këtë situatë, mediat serbe publikojnë një lajm me burime anonime, sikur Presidentit Vuçiç i është bërë një ofertë nga Shtëpia e Bardhë për njohjen e Kosovës, në këmbim të 10 miliardë dollarëve dhe ndihmën për anëtarësimin e Beogradit në BE brenda 2024-ës. Lajmi bombastik është pasqyruar në gjithë mediat e rajonit. Por deri më sot SHBA nuk ka asnjë shembull që të ketë paguar para për një shtet që të njohë fqinjin e tij. A do të jetë Serbia rasti i parë? Kjo mbetet për tu parë deri në prillin e 2020-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë