Trashëgimi

Palimpsesti i Arkivit Qendror Shtetëror, i vetmi i Shqipërisë

Nga Sokol Çunga*– Që nga shek. II para Krishtit, kohë kur pergamena mori përdorim të gjerë si lëndë mbi të cilën mund të shkruhej teksti, e deri në mbizotërimin e letrës si sipërfaqe kryesore e përdorur për shkrimin, pergamena mbeti lëndë shumë e kushtueshme për prodhimin e dokumenteve apo të librit. Kostoja ishte arsyeja kryesore që solli ripërdorimin, apo, siç do ta thoshim me gjuhën e sotshme, riciklimin e pergamenës, por dhe mungesa e lëndës në treg, nga ana tjetër. Shkaqet e tjera të ripëdorimit të pergamenës ishin dhe: përmbajtja tashmë e panevojshme e një libri; gjuha e panjohur; shkrimi i dëmtuar dhe pjesërisht apo tërësisht i palexueshëm; sistem shkrimi i vjetruar; ekzistenca e të paktën një dorëshkrimi tjetër me të njëjtën përmbajtje, etj.

Pergamena e përcaktuar për t’u ripërdorur lagej me qumësht në gjithë sipërfaqen e saj dhe lihej e lagur për një natë. Të nesërmen pudrosej me miell dhe lihej nën një objekt të rëndë, deri sa të thahej, që të qëndronte e tendosur dhe të mos krijonte valëzime. Pas tharjes lëmohej me gur gëlqeror, që të rifitonte bardhësinë e mëparshme. Pikërisht ky veprim i fundit, lëmimi me gurin gëlqeror, është ai që i dha emrin. Fjala palimpsest vjen nga bashkimi i dy fjalëve të greqishtes, πάλιν dhe ψάω, që do të thotë “fërkoj sërish, për së dyti”. Në latinisht është përdorur edhe emërtesa pergamena riscritta, pergamenë e rishkruar.

Mirëpo, për fat të mirë, boja e tekstit të mëparshëm nuk fshihej tërësisht nga pergamena. Mbetej si hije e mjegullt e së shkuarës. Përfytyroni, pra, dy nivele shkrimi, një të vjetër, dhe një të ri. Shtresën e mëparshme të shkrimit në paleografi e quajmë scriptio inferior, pra, shtresë e poshtme, kurse shtresën e mëpasshme e quajmë scriptio posterior, shtresë e mëvonshme. Scriptio inferior zakonisht vetëm sa shquhet me sy të lirë, por jo gjithmonë lexohet qartë. Në shek. XVIII-XIX palimpsestet lexoheshin duke i lyer me kimikate që bënin të dukshëm, për disa orë, shkrimin e mëhershëm, por ishin shkatërrimtare për dokumentin. Me zhvillimin e teknologjisë, palimpsestet filluan të lexohen duke përdorur rrezet ultra-vjollcë e më pas ato infra të kuqe.

Palimpsestet i hasim në dy forma, si një libër i plotë, i gjithi palimpsest, apo si fashikuj të një dorëshkrimi dhe fletë më vete. Nuk dimë sa është numri i fletëve të palimpsesteve në botë, por dimë disa shifra të palimpsesteve që ruhen në bibliotekat më të mëdha të dorëshkrimeve. Kështu, Biblioteka e Manastirit të Shën Katerinës në Malin Sina në Egjipt, më e vjetra bibliotekë e botës funksionale që prej shek. VI, deri sot, ka mbi 160 vëllime në palimpsest, Biblioteka Apostolike e Vatikanit ka mbi 550 syresh, e me radhë.

Nga palimpsestet më të njohura të botës përmendim Codex Ephraemi të Bibliotekësë Kombëtare të Francës, i cili përmban në scriptio inferior tekste të Dhjatës së Re shkruar në shek. V, kurse në scriptio posterior vepra të Shën Efremit, prej nga ka marrë emrin; Codex Nitriensis i Bibliotekës së Londrës, i cili përmban në scriptio inferior Iliadën dhe Dhjatën e Re, kurse në scriptio posterior debatin mes Severit të Antiokisë me Johan Gramatikanin; palimpsestin e Arkimedit të Walters Art Museum në Baltimore, Maryland, i cili përmban në scriptio inferior tekste të ndryshme, mes tyre disa vepra të humbura të Arkimedit kopjuar në shek. VI, dhe në scriptio posterior përmban tekste shërbesash fetare kopjuar më 1229.

Palimpsesti i Arkivës Qëndrore Shtetërore

Dhe vijmë tek palimpsesti ynë, palimpsesti i Arkivit Qendror Shtetëror. Në Fondin “Koleksioni i kodikëve” (Fondi 488) të AQSh, Dosja 14, ndodhet i vetmi palimpsest i njohur në Republikën e Shqipërisë . Kodiku përmban katër dyfletësh, pra, tetë fletë, shkruar në palimpsest. Scriptio inferior është shkruar me stilin e shkrimit njohur si “tipi i Anastasit” dhe daton në shek. X (pas K.), kurse scriptio posterior është shkruar diku në shek. XIII. Teksti i dorëshkrimit është shkruar në gjuhën greke, për të dy rastet.

Në scriptio inferior përmban pjesë të njërës prej ligjëratave të Shën Joan Gojartit “Për profetët dhe mësuesit e rremë”, kurse në scriptio posterior përmban një lavdërim (enkomion) të Shën Gregorit të Nisës për Shën Stefanin, dëshmorin e parë të Kishës. Para mbërritjes së tij në AQSH, dorëshkrimi ka qenë ruajtur në Berat. Mirëpo, a është prodhuar palimpsesti në Berat? Nga mënyra si janë shkruar fletët e tjera të dorëshkrimit, kuptojmë se kodiku është prodhuar shumë larg Beratit, në Italinë e Jugut. Këtë prejardhje e saktëson elementi i dukurisë “yellow wash”, theksimi i titujve të teksteve që përmban kodiku me një ngjyrë të verdhë të tejdukshme, dukuri tipike e dorëshkrimeve shkruar latinisht dhe greqisht në Terra d’Otranto të Italisë së Poshtme. Ndërkaq, zona e Otrantos njihet dhe si vend ku janë prodhuar një numër i madh palimpsestesh e, teksa edhe dorëshkrimi ynë përmban një palimpsest, gjasat janë që të jetë prodhuar atje.

Si ka ardhur dorëshkrimi në Berat? Këtë nuk e dimë. Sidoqoftë, përmes këtij dorëshkrimi vëmë re se Berati dhe Shqipëria e Jugut nuk janë thjesht zona ku qarkullojnë karvanët apo ushtritë që shkojnë nga perëndimi në lindje, dhe anasjelltas, por edhe vende ku qarkullon libri i kohës. E njësoj me librin qarkullojnë historitë, dituria dhe idetë. Të gjitha këto, në vetvete, janë një palimpsest intelektual.

Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë