Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i ka dhënë zgjidhje dhe interesit të partive të vogla opozitare për të qenë pjesë e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Pas dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës për të pasur barazi votash në komision, vend i është bërë dhe dy partive, ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt dhe ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit.
Sipas dokumentit të fundit zyrtar të dakordësuar mes palëve, bëhet me dije se këto dy parti, të cilat përfaqësohen në Kuvend vetëm me nga 1 deputet për palë, mund të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit, kanë të drejtën e propozimeve, por pa të drejtë vote.
Komisioni do të ngrihet mbi parimin e barazisë pozitë–opozitë, me 16 anëtarë, 7 nga Partia Socialiste, 7 nga Partia Demokratike dhe 2 nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.


Drejtimin e komisionit do ta marrin dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD.
Sipas dokumentit zyrtar, komisioni do të ketë në fokus hartimin e ndryshimeve ligjore për reformën zgjedhore, shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe ato parlamentare të 11 majit 2025, si dhe për zgjedhjet e mëparshme që nuk janë trajtuar, vlerësimin e propozimeve të institucioneve zgjedhore, partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse si dhe hartimin e një ligji të ri për financimin e partive politike.
Pranë komisionit do të ngrihet edhe një grup ekspertësh teknikë, ndërsa në proces do të marrin pjesë me rol këshillues përfaqësues të OSBE-së, OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias, si dhe ekspertë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



