Ne rrjet

Palermo, shtëpia që shteti i konfiskoi mafies dhe askush nuk e do! Pas një molotovi, ikën dhe familja e katërt

Rast i pabesueshëm në një lagje me bazë të fortë “mafioze” në Palermo të Italisë. Pas bombës, një tjetër refuzim nga një familje. Më herët, tre të tjera ishin larguar pas kërcënimeve. Këshilltari: “Do të bëjmë gjithçka për të fituar betejën”

Gazeta Si – Kishin nevojë për një shtëpi, e kërkuan nga Bashkia, e morën miratimin, por në fund thanë “jo”, po heqim dorë. Për çfarë arsye?

Ndoshta ishte shumë e vogël apo e rrënuar? Jo, apartamenti ishte sipas dëshirës së tyre, i madh dhe fillimisht i mobiluar në stilin “Casamonica”.

Por duket se ka një të problem të pakapërcyeshëm: është pasuri që shteti italian ia ka konfiskuar mafies, por mbi të cilën mafia ende ushtron pushtetin e saj. Katër familje kanë qenë në negociata për ta marrë. Të katërta kanë hequr dorë.

Ngjarja e pazakontë, sipas mediave italiane, ka ndodhur në Palermo në një ndërtesë në “via Decollati”, një zonë e kontrolluar nga klani mafioz “Algeri”, ku ndodhet kjo pronë, e cila u bë pjesë e trashëgimisë së bashkisë, pasi banohej nga vajza e “kapos”, të cilit i ishte konfiskuar pas një vendimi nga gjyqësori.

Kërcënimet

Në këtë histori del qartë përplasja mes Shtetit dhe Anti-shtetit dhe arrogancës dhe forcës së këtij të fundit.

Pyetja që lind është: si mundet që Bashkia nuk mund të gjejë dikë të gatshëm të jetojë në një shtëpi që është në dispozicion të tyre në një kohë krize të plotë strehimi? 

Tre familjet e para të caktuara, në fakt u larguan menjëherë për faktin se pranë tyre jetojnë disa njerëz që nuk i duan t’i kenë si fqinj dhe që janë të afërmit e klanit mafioz. Këta të fundit u përpoqën t’i intimidojnë për t’i detyruar të largohen nga shtëpia fqinjët e rinj.

Nuk pati kanosje me armë, por ka pasur hedhje molotovi të shoqëruara me disa fjalë bindëse dhe dëmtim të pronës.

Deri në atë pikë sa i detyruan familjet që duhej të hynin në shtëpi të largoheshin menjëherë, pavarësisht se e kishin ëndërruar prej vitesh.

Pronë e menaxhuar

Ndërkohë, Bashkia, e cila po rikthen përdorimin e pronës për të disatën herë, thotë se shpreson të jetë në gjendje t’i gjejë një zot shtëpisë.

“Për momentin jam këtu në vend, ne kemi rregulluar tetë pajisjet që ishin shembur dhe tani po përfundojmë pikturën, – thotë këshilltari për strehimin në Bashkinë e Palemos, Fabrizio Ferrandelli. – Ne kemi gjetur një familje që është e gatshme të vijë. Por fillimisht duhet miratimi i Komisionit për Rendin dhe Sigurinë Publike”.

Në fakt, përveç kryetarit të Bashkisë, me rastin po merren edhe Prefektura dhe Komisariati i Policisë, të cilët synojnë të rivendosin rendin në një zonë ku ligji i parë është ende ai i klanit. 

“Pas restaurimit, u propozuam zotërinjve që kishin ikur të ktheheshin. Ne i pyetëm ata, të vetëdijshëm për delikatesën e zgjedhjes: a ndiheni gati?”.

Përgjigja: as që bëhet fjalë. “E kuptueshme, duke pasur parasysh atë që ata përjetuan. Tani do të shohim këta të rinjtë, por duhet të jemi gati të mbyllim punimet e shtëpisë”, vijon këshilltari. 

Këshilltarja: Fakt i papranueshëm

Për këtë, ka ndërhyrë edhe Brigida Alaimo, këshilltare për pasuritë e konfiskuara dhe ligjshmërinë në Bashkinë së Palermos: “Heqja dorë nga familjet nga caktimi i një shtëpie publike të konfiskuar nga një mafioz, është një gjest që nuk mund të nënvlerësohet dhe që kërkon maksimumin e vëmendjes nga të gjitha organet kompetente. Një fakt i papranueshëm, që cenon punën e vazhdueshme dhe rigoroze të institucioneve në luftën kundër mafies dhe rivendosjen e ligjshmërisë”.

Alaimo kishte premtuar se do t’i jepte fund çështjes: “Ne do të punojmë për të siguruar që të kryhen të gjitha hetimet e nevojshme për të kuptuar arsyet e këtyre largimeve dhe për të siguruar që të mos ketë asnjë presion mafioz apo frikësim pas këtij vendimi. Çdo hap prapa në kthimin e aseteve të konfiskuara komunitetit, përfaqëson një fyerje ndaj drejtësisë dhe kujtimit të atyre që sakrifikuan jetën e tyre për të luftuar mafien. Departamenti i Pasurive të Konfiskuara dhe Ligjshmërisë i Bashkisë së Palermos, merr përsipër të ndjekë nga afër këtë çështje dhe të sigurojë që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar transparencë dhe drejtësi”. Ajo shpreson, sikundër Ferrandelli që shton se është shumë i vendosur: “Ne synojmë ta fitojmë betejën”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë