Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Mbrojtes Pirro Vengu ka hedhur poshtë shqetësimet e shprehura nga Beogradi lidhur me marrëveshjen trilaterale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
I pyetur lidhur me deklaratat e Presidentit Serb, Aleksandar Vuçiç për këtë marrëveshje, që sipas tij synon shkatërrimin e Serbisë, Vengu tha se e ka ftuar Serbinë t’i bashkohet.
“Patjetër kam vënë re herë pas here një sens paniku nga deklarata zyrtare në Beograd. Mund t’ iu them që është një marrëveshje trepalëshe që nuk është ndërtuar kundër askujt. Madje kam qenë unë vetë i pari që kam shprehur edhe ftesë, pse jo, që Serbia, nëse gjykon se rajoni, stabiliteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja euroatlantike e vendeve të rajonit është e rëndësishme, atëherë t’i bashkëngjitet kësaj iniciative. Ja u merr mendja që nuk kam marrë një përgjigje për sa i përket kësaj ftese.
Mund t’iu them që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë filluar në bazë të kësaj marrëveshjeje, qoftë në rrafshin ushtarak, stërvitor, akademik arsimor por edhe të prodhimit ushtarak, të bashkëpunojnë”, tha Vengu.
Ai shtoi se të treja vendet nuk i marrin leje askujt për të formuar koalicione.
“Me Kosovën kemi dakordësi për sa i përket mjeteve të blinduara. Dhe kjo vjen për dy arsye: E para sepse lexojmë rreziqe dhe kërcënime në rajon të njëmendje. E dyta, nuk besoj se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, kanë nevojë të marrin leje për saj i përket kësaj pjese. E treta: mikpresim edhe vende të tjera të na bashkëngjiten. Është partneritet i hapur.
Shumëkush e quan marrëveshje të mbrojtjes. Kemi vënë re që të tre vendet kanë nevoja të ngjashme për sa i përket rritjes së kapaciteteve”
Marrëveshja e këtij sfondi e cila është e para në rajon, parashikon forcim të kapaciteteve mbrojtëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimin në trajnimet ushtarake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



