Pas dakordësisë që Taulant Balla i dha draftit të tij për Presidentin, Enkelejd Alibeaj ka thirrur në selinë blu grupin parlamentar të PD-se që dy mbledhjet e fundit ishin vetëm 21 deputetë.
Para mbledhjes, deputetët e “Rithemelimit” kishin një mesazh të qartë për deputetët që të mos shkonin në mbledhje, duke akuzuar Alibeajn se po përdoret nga Rama për të siguruar kuorumin për Presidentin “konsensual”
“Të nderuar deputetë të PD, mos u bëni pjesë e qëllimit të mbrapshtë Rama-Alibeaj:
–Një pseudo e mini opozitë për të arritur PS-ja 84 votat e nevojshme!
Ky ishte konkluzioni i djeshëm i asaj komedie politike të shfaqur tek Kryesia e Kuvendit, e dirigjuar nga “shkopi” i Ballës dhe me një anturazh “korist” në sfond.
Alibeaj, pikërisht në fund të atij “takimi”, dekonspiroi thelbin e tij kur foli për një “opozitë për të arritur 84 votat”.
Pra një “opozitë” me 7-10 deputetë, që si shtesë e votave të disponueshme të PS, të arrijnë në numrin e cilësuar të votimit.
Pikërisht, aq sa i duhet Ramës për të zgjedhur i maskuar si liberal një President të tij, pse jo edhe të “propozuar” sa për aparencë nga Alibeja&Co, nqs ai do të siguronte 20 firma propozuesish…
Dhe kjo mund të ndodhë edhe në raundin e dytë ose të tretë, nqs Alibeaj&Co do të arrijë të “peshkojë” këto 20 firma opozitarësh koshiente për dëmin e madh që po i bëjnë demokracisë”, tha Tritan Shehu.
Thirrja e tij ishte e drejtpërdrejtë për kolegët.
“Ju lutem…mos u bëni pjesë e asaj që do t’ju ndante përfundimisht me elektoratin tuaj demokrat.
Dhe një deputet pa elektorat nuk është deputet, ai mund të jetë vetëm një rrogëtar…por që shpejt do t’i duhet ta lërë edhe atë”
Më vonë, përmes një konference për shtyp i mandatuari nga “Rithemelimi” për Presidentin, Oerd Bylykbashi përsëriti të njëjtin qëndrim.
“Dje u shpall një marrëveshje e re. Balla i dha të drejtën Alibeajt të propozojë kandidatë për president. Rama kërkon që kandidatin e tij të preferuar ta sjellë opozita dhe ta shesë si President konsensual”, tha Bylykbashi.
“Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Balla për llogari të Ramës dhe pa asnjë tagër ka thirrur sot deputetët e PD-së që të legalizojë marrëveshjen e tij personale me Ramën.
Deputetët e PD janë të ndërgjegjshëm që përfaqësojnë vullnetin e demokratëve.
Opozita nuk ka nevojë për marrëveshje për të propozuar kandidatë sepse kjo është në Kushtetutë. PD e denoncon këtë marrëveshje të pavlerë. Presidenti i shqiptarëve duhet të jetë përfaqësuesi real i vullnetit të popullit”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.