Gazeta Si – Një fushatë sabotazhesh dhe sulmesh në të gjithë Evropën të orkestruar nga shërbimet sekrete ruse.
Kjo është fotografia që po shfaqet, pasi pakot e dërguara nga ajri nëpërmjet shpërndarësit ndërkombëtar DHL morën zjarr në mënyrë misterioze në Angli dhe Gjermani.
Më 22 korrik të vitit të kaluar, në një magazinë në Birmingham, një ngarkesë që mbërriti nga jashtë me një aeroplan – nuk dihet nëse ishte fluturim pasagjerësh apo mallrash – mori flakë, por pa dëmtuar askënd: flakët u shuan me shpejtësi nga stafi dhe nga zjarrfikësit.
Në të njëjtën ditë, një incident i ngjashëm kishte ndodhur në Lajpcig, përsëri në një magazinë të DHL-së, ku pakoja, e cila kishte mbërritur nga Lituania, do të ngarkohej në një avion, nisja e të cilit fatmirësisht u vonua.
Në të dyja rastet u theksua se nëse shpërthimet do të kishin ndodhur gjatë fluturimit, do të kishte pasoja të rënda, me rrezik të rrëzimit të avionit.
Kundër-terrorizmi britanik po heton incidentin e Birminghamit dhe hetuesit po përpiqen të kuptojnë lidhjet me çështjen e Lajpcigut. Por dyshimi që po fiton terren, është se këto janë operacione sabotuese nga inteligjenca ushtarake ruse.
Në mars, një magazinë që i përkiste një kompanie të lidhur me Ukrainën, kishte marrë zjarr në lindje të Londrës, ndërsa në maj, një qendër tregtare në Varshavë u shkatërrua nga flakët.
Kryeministri polak Donald Tusk kishte fajësuar hapur agjentët rusë, ashtu si kreu i i inteligjencës gjermane, i cili akuzoi Kremlinin për “sjellje agresive” që “vënë jetën e njerëzve në rrezik”.
Por përpjekja më e bujshme ishte për të vrarë Armin Papperger, CEO i “Rheinmetall”, kompania gjermane e mbrojtjes që furnizon me armë Ukrainën.
Komploti, i atribuar në këtë rast edhe rusëve, u prish nga shërbimet e inteligjencës sekrete amerikane, megjithëse ekziston frika se drejtues të tjerë biznesi janë në pikëpyetje.
Vetëm një javë më parë, Ken MacCallum, kreu i kundërzbulimit britanik, paralajmëroi se agjentët e Putinit janë të angazhuar në “një mision të qëndrueshëm për të krijuar kaos në rrugët e Evropës: kemi parë zjarre, sabotim dhe më shumë”.
Shërbimet ruse janë rikuperuar nga goditja e pësuar si pasojë e pushtimit të Ukrainës, kur vendet perëndimore dëbuan dhjetëra diplomatë të Moskës – dhe bashkë me ta edhe shumë spiunë.
Tani ata kanë riorganizuar rrjetin e tyre dhe kanë shkuar në ofensivë me veprime “të fshehta”, përgjegjësia e të cilave është mohuar qartë.
Qëllimi është të destabilizojnë vendet evropiane, të minojnë mbështetjen e tyre për Kievin dhe të nxisin dyshime dhe konfuzion në opinionet publike.
Sepse nëse perëndimorët vazhdojnë të përsërisin se nuk janë në luftë me Rusinë, Kremlini ka ide të ndryshme për këtë.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.