Pak muaj nga miratimi i ligjit për duhanin, në Parlament propozohet një tjetër nismë për të ndryshimin e tij. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj ka depozituar një nismë të re në Parlament ku i kërkohet në mënyrë detyruesve firmave që shesin cigaret të ndryshojnë paketimin, duke i lejuar vetëm dy ngjyrësh.
“Në çdo njësi pakete apo paketimi të produkteve të duhanit duhet të shfaqen paralajmërime shëndetësore të kombinuara në tekst dhe në figurë për demet që shkakton në shëndet përdorimi i duhanit. Ato duhet të zënë 50 për qind, ose më shumë të sipërfaqes së shfaqur, por jo më pak se 30 për qind të faqes kryesore”, thuhet në amendamentin e paraqitur nga socialisti.
Më tej përcaktohet se Ministria përgjegjëse për shëndetësinë harton paralajmërimet shëndetësore të kombinuara dhe specifikimet teknike të vendosjes së tyre në paketë dhe i dërgon për miratim KNMSHPD.
Një tjetër propozim është që në paketime të vendosen edhe “pictorials”, fotografi të figurave të paralajmërimeve të kombinuara. Pictoralias, që cilësohet si terminologji duhet të ishte zbatuar që në vitin 2018, por nuk dihen arsyet se pse nuk është realizuar. “Për rrjedhojë, propozohet detyrimi ligjor i fillimit të zbatimit të "pictorials" në Shqipëri. Në të njëjtën procedurë si për paketimin e thjeshtë, edhe për "pictorials', propozohet që ministria përgjegjëse të përgatisë formatet e paralajmërimeve tekst dhe figure brenda 3 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa KNMSHPD t'i miratojë brenda 4 muajsh dhe fillimi i zbatimit të jetë data 1 janar 2022”, theksohet në relacion. Ashtu si edhe në disa vende të tjera paketa me foto dhe mbishkrime të frikshme do të shiten edhe në vendin tonë, edhe pse që të realizohet një gjë e tillë duhet të pritet nisma e deputetit socialist të marrë votat në Parlament.
Deputeti i PS-së, Ilir Beqaj në një prononcim për Gazeta “SI” shprehet se e ka ndërmarrë nismën pas rekomandimeve të bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2016, e sipas tij, këto dy kërkesa që parashikohen të bëhen në ligj, edhe në vendet e tjera ka rezultuar se ka pasur efekt.
Tre muaj më parë Parlamenti vendosi që bënte ndryshime ligjore në ligjin “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, duke përcaktuar që të mos shiten më paketa me 10 cigare, si dhe duke vendosur rregulla të rrepta për përdorimin e nargjilës. Për Beqaj kjo gjë nuk e ndalon që të paraqesë një nismë nga ana e tij. “Unë nuk jam konsultuar aktualisht me grupet e interesit apo me ndonjë shoqatë për amendamentet e paraqitura, por se tani jemi në fazën e konsultimeve që do të zhvillohen gjatë diskutimeve në komisionin përkatës”, thekson Beqaj. Ai nuk e mohon se nisma e tij ka pasur edhe reagimet e para nga industria e duhan-cigareve me faktin se ligji për duhanin, kishte jo më pak se tre muaj që kishte ndryshuar, apo që studimet e ndryshme kanë vlerësuar se nuk kanë pasur efekt.
"Pictorials" në paketimin e duhanit është përdorur në Kanada për herë të pare në vitin 200 l. Në Europë përdoren në Mbretërinë e Bashkuar, Rumani, Itali, Greqi. Në Shqipëri në vitin 2016 Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet (KNMSHPD-ja) mori një vendim që brenda 2018 industritë e duhanit të zbatojnë, por kjo nuk ndodhi. “Pikërisht sepse ishte një vendim i këtij institucioni, unë e propozoj që ta përfshijnë në ligj një të tillë”, thekson ish-ministri Beqaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.