Taksa

Paketa e re fiskale, qeveria favorizon pagat e larta

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka deklaruar të premten në lidhje me ndryshimet në paketën fiskale se nga rregullimet do të përfitojnë 15 mijë e 400 të punësuar në Shqipëri duke shpjeguar se ndryshimi në këtë ligj parashikon rritjen e kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë.

Tani, pagat deri në 130 mijë lekë tatohen në nivelin 13 % mbi shifrën 30 mijë lekë. Kurse pagat mbi këtë shumë, tatohen  me 23 %. Me rregullimet në paketën fiskale, qeveria ka parashikuar që pagat deri 150 mijë lekë do të tatohen në nivelin 13%.

Gjithashtu me këtë paketë fiskale për 2019-ën parashikohet një rritje pagash për profesione si infermierët, ushtarakët e mësuesit.

Ndërkaq, grupet e interesit që janë shoqatat e biznesit janë në diskutime me Ministrinë e Financave për paketën fiskale të vitit 2019.

Sipas shoqatave të biznesit, qeveria u ka kërkuar me një email në gusht atyre për të propozuar idetë në lidhje me këtë paketë, por nuk është ulur asnjëherë më parë me biznesin për të diskutuar.

Ministria e Financave thotë se nuk ka një produkt final të paketës së re, por është ende duke u diskutuar nëse dividendi do të ulet në 8% apo në 10% nga 15% që është aktualisht.

Nryshimet e tjera që do të sjellë paketa e re fskale kanë të bëjnë me ligjin e TVSH-së, taksat kombëtare dhe akcizat.

Në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, parashikohet përjashtimi në import i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik. Identifikimi i lendeve të para që përfitojnë përjashtim nga TVSH do te bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu mendohet të perjashtohen nga TVSH e furnizimit me shërbim nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason.

Përjashtimi nga TVSH i importit të makinerive bujqësore sipas listës së miratuar me VKM, nga cdo importues. Gjithashtu mendohet një normë e reduktuar TVSH 10 % për importin e autobuzëve elektrikë të transportit publik.

Ligji për taksat kombëtare parashikon ndryshimin e skemës së taksimit të ambalazheve plastike, kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike, tek taksimi i materialeve plastike, duke e ulur me 2/3 normen ekzistuese.

Gjithashtu synohen rregullime në skemën e rentës minerare për industrine e kromit, me qëllim nxitjen e përpunimit brenda vendit të mineraleve duke shtuar vlerën e tij për eksport.

Kurse ligji për akcizat synon rishikime të akcizes për rërat dhe zhavoret bituminoze, duke taksuar atë lloj lënde të parë që zëvendëson nënproduktet e naftës dhe ndikon në ambient. Me paketën e ndryshuar parashikohet heqja e akcizes për fishekzjarret, llampat, pilat/bateritë. Parashikohet edhe një rritje e nivelit të akcizës për duhanin e përpunuar. Akciza e cigareve do të rritet sipas skemës në fuqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë