Një qeveri tranzitore me një mandat që mund të shkojë deri në 6 muaj dhe zgjedhje lokale dhe parlamentare të parakohshme në një datë, këto janë dy opsionet e opozitës së bashkuar në platformën e paraqitur sot në takimin e opozitës së bashkuar.
Paketa për zgjidhjen e krizës u paraqit sot nga opozita e bashkuar, e cila synon që zgjedhjet lokale të mbahen në vjeshtë, për t’i dhënë kohë krijimit të një infrastrukture të besueshme për zgjedhjet.
Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë paraqitjes së platformës theksoi se qeveria tranzitore nuk ka asnjë paralele me atë teknike të dy viteve më parë dhe sipas tij nuk duhet të jetë nën ndikimin e PS-së dhe PD-së, duke dhënë e profilin e ministrave që nuk duhet të jenë. “Më lejoni të jem i qartë se çfarë nuk do të jetë, koalicion i madh mes opozitës dhe PS, do të jetë një qeveri provizore tranzitore me personalitete jashtë konfliktit të interesit që kërkon vullnet dhe mbështetje politike. Detyrat duhet të shkojnë përtej kësaj, ne sot jemi për detyrat në raport me procesin zgjedhor të lirë. Është e vërtetë, disa nga këto çështje janë të mbartura, ajo që bën diferencën është sa ka ndikuar problemi në rezultatin zgjedhor”, deklaroi Basha.
Opsioni i ofruar për kryedemokratin është një qeverisje ku kushti kryesor është largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit, duke u shprehur për dialog me Partinë Socialiste.
“Si do të shkohet drejt produktit që propozojnë ne? Natyrisht do të shkohet me negociata, duke pasur përballë kundërshtarin kryesor politik, PS, duke kërkuar dhe insistuar për një frymë dialogu në shërbim të interesit kombëtar, për të ndalur rënien kokë poshtë në greminë dhe për t’i rikthyer kushtet minimale për stabilitet që mund të vijnë vetëm nëpërmjet demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Por parakushti në këtë dialog është largimi i Edi Ramës dhe kësaj qeverie të kapur duke vjedhur në mënyrë të përsëritur zgjedhjet, duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet”, deklaroi Basha.

Kjo qeveri aktuale sipas tij nuk mund të jetë kujdestare e zgjedhjeve të ardhshme, pasi nuk mund të jesh njëherësh dhe përdhunuesi i zgjedhjeve dhe kujdestari. “Prandaj kusht paraprak për të ulur në një dialog me Partinë Socialiste është largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit dhe hapja e rrugës për një proces normal konsultimi politik që do të çojë drejt kushteve të barabarta zgjedhore, në proceset ardhshme, të cilat në propozimin tonë paraprak do të jenë të njëkohshme, zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ato vendore”, theksoi Basha idenë e tij për zgjidhjen e krizës politike.
Ndërsa ka shpjeguar edhe afatet që mund të ketë qeverisja tranzitore në këtë detyrë e re, ku sipas tij nuk është një zgjidhje sui-generis, pasi ka praktika që janë realizuar me sukses, duke garantuar rotacione politike.
“Zoti Bylykbashi më thotë se në 2004 u deshën tre muaj për regjistrimin derë më derë të popullsisë. Pra nëse ka vullnet politik mund të arrihen, por natyrisht kërkojnë një kohë të caktuar. Konkluzioni është se nuk mund të arrihet një standard normal më 30 qershor, as të garantohet ato formale me zgjedhjet në Afrikë. Një muaj apo dy muaj nuk mjaftojnë. Nëse do të jetë 4 apo 6 muaj kjo është një çështje që nuk duhet t’i nënshtrohet spekulimit, por duhet të vijë si një produkt i diskutimit realisht dhe profesional midis palëve, sa më shumë i larguar nga interesi politik. Një parti që e sheh veten të rënë në sondazhe mund të kërkojë që zgjedhjet të shtyhen sa më shumë”, theksoi Basha.
Për herë të parë, kryedemokrati gjatë fjalës së tij theksoi se marrëveshja politike nuk mund të arrihet nëpërmjet dhomave të errëta, duke nënkuptuar se s’mund të jetë si dy vite më parë si në 17 maj të 2017-ës, por duke i realizuar ndryshimet kushtetuese me anë të një referendumi popullor.

10 detyrat e qeverisë tranzitore
Ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi ka shpallur 10 pikat e qeverisë tranzitore që kanë si prioritet organizimin e zgjedhjeve të reja sipas standardeve të kërkuara. “Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve; Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve; Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe zgjedhësit; Ndalim i prokurimeve, tenderave, koncesioneve\PPP-ve, licencave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore; Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj”, janë disa nga detyrat e para të qeverisë tranzitore.

Si pjesë tjetër e plotësimit të detyrimeve për realizimin e zgjedhjeve të besueshme dhe sipas standardeve, Bylykbashi renditi dhe “Pajisjen e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i falsifikimeve të letërnjoftimeve; Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve; Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve; Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje dhe Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për opozitën”. Gjithashtu ai theksoi se kanë qenë 270 mijë emra zgjedhësish pa adresim ku sipas tij u hoqën vetëm me një vendim të ministrit të Brendshëm, pa zbatuar procedurat e Kodit Zgjedhor.

Një tjetër shqetësim i shprehur nga opozita është fakti i skadimit të 1,4 milionë kartave të identitetit të shqiptarë, që janë 90% e zgjedhësve aktivë, për të cilët qeveria nuk ka vendosur një afat për shtyrjen, duke përbërë dhe një mundësi për shitblerjen e votës. PD propozoi subvencionim për pagesën e tarifës së ID pasi një pjesë e popullsisë janë të varfër. Gjithashtu PD-ja propozoi disa procese në dobi të procesit të zgjedhjeve si regjistrimi derë m derë i votuesve, kontroll në sistemin TIMS të emigrantëve, me qëllimin për të realizuar një proces të besueshëm.
Ndër detyrat e tjera të qeverisë tranzitore sipas opozitës janë në kuadër të luftës kundër shitblerjes së votës janë: Ashpërsimi i goditjes së krimit të organizuar nga policia; Goditja me tolerancë zero e shitblerjes së votës; Kërkesë ndaj prokurorisë dhe SHISH për të hetuar me prioritet krimin zgjedhor, veçanërisht dosjet 184 dhe 339; Vendosja e institucioneve ligjzbatuese qeveritare (Policia, Drejtoria e Pastrimit të Parave etj) në funksion të goditjes së krimit zgjedhor.
DETYRAT KRYESORE TË QEVERISË TRANZITORE:
1- Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve.
2- Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.
3- Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe zgjedhësit.
4- Ndalim i prokurimeve, tenderave, koncesioneve\PPP-ve, licencave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore.
5- Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj.
6- Pajisje e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i falsifikimeve të letërnjoftimeve.
7- Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve.
8- Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve.
9- Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje.
10- Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për opozitën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




