Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama, mblodhi drejtuesit e bashkive në vend, në kuadër të Paketës së Maleve, projekt që sipas tij po zhvillohet tepër ngadalë.
Kreu i qeverisë shprehu shqetësim për ecurinë e ngadaltë të projektit, duke thënë se dekurajon të interesuarit. Ai tregoi se që ditën e parë, ka pasur 800 aplikime për investime.
“Bëjmë takimin sepse kemi shqetësimin që po ecën me një ritëm të ulët në raport me atë që paketave që ka në thelb, shpejtësinë. Shpejtësinë në kuptimin e një burokracitë të lehtësuar maksimalisht dhe shpejtësinë e mundësisë për t’i dhënë përgjigje të shpejta atyre që kanë shprehur interes. Kjo vonesë është dekurajuese për ata që e kanë çuar sinjalin e tyre që janë të interesuar të hyjnë në proces prej disa muajsh nuk kanë marrë përgjigje. Kjo është e kundërta e frymës me të cilën u konceptua dhe u aprovua kjo paketë”, tha Rama.
Duke treguar se interesi për investime nëpër zonat rurale ka qenë i lartë, 800 aplikime vetëm ditën e parë, Rama i kërkoi kryebashkiakëve të përgatisin hartat me zonat potenciale për zhvillim dhe të amendojnë ligjin për të hequr ngarkesat burokratike.
Rama kritikoi të gjithë kryetarët e bashkive, nga Benet Beci i Shkodrës tek Juliana Mema e Dimalit, se pse nuk e kanë ende gati hartën e zonave prioritare, sipas ligjit për zhvillimin e zonave malore e rurale.
Nga tjetër, shtoi Rama, “vetë Paketa, e pranoj që ka disa ngarkesa të tepërta nga pikëpamja burokratike edhe pse është shumë më e lehtësuar sesa ç’ka qenë ndonjëherë më parë një proces për të pasur akses në një pronë, të cilën e disponon ‘de facto’, por nuk e disponon me letra”.
Për këtë arsye kryeministri u shpreh se i ka thënë disa deputetëve që kanë shprehur këtë shqetësim që të bëjnë amendimet përkatëse të ligjit dhe me shpejtësi të lehtësohet ligji nga ndonjë ngarkesë e tepërt.
“Nëse pret përgjigje nga ASHK, ti nuk ke kuptuar ligjin, e asgjë. Paketa është ekzaktësisht ilaçi për një lidhje 30 e kusur vjeçare të njerëzve që e kanë tokën, nuk e kanë pranuar 7501 dhe për 1 mijë e 1 arsye nuk kanë marrë akoma dokumentin që i jep edhe me letër atë që e ka në zakon, dhe duan të investojnë në tokën e tyre, mirëpo, të gjithë kemi ngritur duart me vite sepse nuk kanë letrat. Bëmë ligjin 20/20 për të adresuar këtë problem dhe rezultati nuk ishte i dëshiruari se ka një komplikim të pashmangshëm për të marrë gjithë miratimet e gjithë atyre kufitarëve të pronës përkatëse, që në shumë raste shfaqet e komplikuar. Paketa jep përgjigje edhe asaj problematike që nuk ia jep ligji”, tha kryeministri.
Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, pjesë e takimit, tha se fokusi i Paketës është zhvillimi turistik i zonave të thella rurale. “Me zhvillimin, duam të kthejmë ata që janë larguar dhe të ndihmojmë ata që duan të investojnë në vend”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



