Politike

‘Paketa e Maleve’ miratohet vetëm me votat e PS. Tabaku: Ligj korruptiv! Krrashi: Zhvillon turizmin

Nga Gazeta ‘Si’– Gjatë diskutimit të sotëm në Komisionin e Çështjeve Europiane, kryetarja Jorida Tabaku e cilësoi “Paketën e Maleve” si një ligj të pastër klientelist dhe antikushtetues, i cili shkel hapur sipas saj parimet e një tregu të lirë.

“Ju sot po sillni një projektligj që bie ndesh me vetë ligjet që keni miratuar në vitin 2020 dhe me parimet e prokurimit publik që kërkojnë transparencë dhe garë të hapur. Ky nuk është as integrim europian, as reforma që na çojnë përpara – ky është një ligj i pastër korruptiv!” – u shpreh Tabaku.

Ajo akuzoi mazhorancën për krijimin e një skeme të re për të shpërblyer klientët politikë në prag zgjedhjesh, duke shpërndarë prona publike pa asnjë mekanizëm kontrolli.

“Pse një qytetar nga diaspora nuk mund të marrë pjesë në këtë proces? Pse prona u jepet atyre që e kanë zaptuar për 10 vjet dhe jo nëpërmjet një gare të hapur? Kjo nuk është as reformë, as zhvillim ekonomik – kjo është legalizim i vjedhjes dhe favorizim i klientëve tuaj!” – tha ajo.

Deputetja demokrate theksoi se ky ligj bie ndesh me angazhimet e qeverisë për negociatat me BE, veçanërisht në kapitullin 5, ku flitet për garantimin e klimës së biznesit, investimeve të huaja dhe ndalimin e përjashtimeve me ligj.

“Ju vetë keni deklaruar se do të hiqni dorë nga përjashtimet me ligj, por sot vini dhe sillni një projektligj që pikërisht krijon përjashtime. Ky nuk është integrim europian, kjo është hipokrizi politike!” – tha Tabaku.

Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për fuqinë e pakufizuar që ky ligj i jep pushtetit vendor në përcaktimin e zonave të veçanta të zhvillimit, duke theksuar mungesën e një mekanizmi kontrolli.

“Kush do të bëjë kontrollin? Çfarë roli ka KLSH? A ka këtu transparencë? Apo thjesht po i varni një kumbonë në qafë pushtetit vendor për të larë duart?” – deklaroi Tabaku.

Në përgjigje për të, deputeti i PS Lavdrim Krrashi deklaroi se pr.ligji për Paketën e Maleve është një përpjekje serioze për zhvillimin e turizmit.

“Ashtu siç kemi bërë dhe investuar 25 vite në bregdet, ky projektligj këtë do të adresojë në terma të përgjishme, pra zhvillimin e turizmit”, deklaroi ai.

Komisioni e miratoi projektligjin vetëm me votat e mazhorancës. Ai pritet t’i kalojë Kuvendit për seancë plenare, diskutim dhe miratim.

Ç’parashikon projektligji?

Ky projektligj, i lancuar nga Kryeministri Edi Rama pak muaj më parë parashikon kriteret e kalimit të pronësisë shtetërore tek privati kundrejt blerjes me një tarifë simbolike prej 1 euro.

Ligji përcakton procedura specifike për shpalljen e zonave malore si “zona prioritare zhvillimi”.

Pas shpalljes, individët ose subjektet që zotërojnë pasuri shtetërore në këto zona pa titull pronësie mund të aplikojnë për njohjen si “posedues jopronarë”. Këta posedues mund të blejnë pasurinë me një tarifë simbolike prej 1 euro, duke synuar t’i përdorin për investime që zhvillojnë zonën.

Për t’u shpallur një zonë si prioritare për zhvillim, duhet të argumentohet potenciali i saj ekonomik, industrial apo turistik. 

Qëllimi i ligjit

Sipas nenit të parë, qëllimi i ligjit është të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të zonave malore duke:
– Tërhequr investime për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
– Promovuar shfrytëzimin me eficiencë të burimeve natyrore dhe mbrojtjen e ekosistemeve.
– Përmirësuar kushtet e jetesës dhe krijuar vende pune.
– Mbështetur kalimin e pronësisë së pasurive shtetërore të përdorura nga privatët pa titull pronësie.

CIlat janë kriteret e pronës?

-Të jetë pasuri shtetërore.
-Të mos jetë pronë publike e patjetërsueshme. Llojet e pasurisë “pyll”, “kullotë” “livadh” nuk janë të patjetërsueshme dhe mund t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë sipas këtij ligji.

-Nuk i shërben operacionalitetit të Forcave të Armatosura
-Të mos rëndojnë mbi të të drejta reale të të tretëve
-Të mos jetë marrë për të vendimi i kthimit ose i kompensimit fizik ish-pronarëve


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë