Sektori fason rrezikon falimentimin. Mungesa e likuiditetit si rezultat i bllokimit të kontratave kryesisht me Italinë dhe Gjermaninë duke sjellë rënien në pikiatë të eksporteve të tekstileve dhe këpucëve në kohën e pandemisë pas riçeljes së kufijve riskon largimin e punonjësve drejt vendeve të tjera, ku pagat janë më të larta.
Themeluesi dhe anëtari i shoqatës fason Pro Eksport (bashkim i dy shoqatave), Florian Zekja thotë për gazetën “Si” se në këto kushte të dëshpëruara sektori po përgatit një Paketë të detajuar për tia drejtuar qeverisë se si mund të shpëtohet sipërmarrja fasone në afatshkurtër dhe në afatgjatë.
Ai vlerëson se ky biznes është nënvlerësuar dhe paragjykuar nga të gjitha qeveritë si biznes i dorës së dytë që shfrytëzon punonjësit dhe rrjedhimisht sipas tij nuk ka gjetur asnjë mbështetje. Prandaj thotë Zekja, ky lloj sektori ka mbetur pavarësisht eksperiencës mbi 30 vjeçare në nivelin e kryesit të porosive të klientëve të huaj duke mos u zhvilluar.

“Situata e biznesit fason është dëshpëruese dhe e paqartë për të ardhmen e afërt dhe atë të largët. Pasi reflektohet e gjithë situata e prodhuesëve të modës dhe veshjeve në Itali e Gjermani me të cilat kanë qenë lidhur përqindja më e lartë e kontratave”- thotë Zekja.
Ai shpjegon se teksa në shkurt po prodhohej koleksioni dimëror, u ndërpre prodhimi nga pandemia. Koleksion i cili parashikohet të prodhohet deri në masën 50%.
Pasi situata sipas tij është e paqartë dhe Italia pret të humbasë 31 mln turistë të huaj të cilët shpenzimet e tyre gjatë pushimeve i përllogaritnin edhe për butiqet.
“Por, problemi i sektorit tonë do të jetë nga gushti e mbrapa. Kur do të ishte koha që ne do të prodhonim koleksionin verë 2021. Ne themi që koleksionin e sivjetshëm nuk po mundim ta bëjmë të gjithin. Imagjino koleksioni i 2021 as që bëhet fjalë të kemi kontrata apo parashikime. Po të shohim prodhimin e kampionarëve në këtë moment shihet që ka një reduktim në masën 50% të atyre që do të paraqiten në verën e 2021. Kontrata dhe parashikime për 2021 nuk bëhet fjalë që të kemi”- përshkruan Zekja i Pro Eksport situatën e sektorit.
Sipas tij, me Italinë u përgjysmuan kontratat, kurse me Gjermaninë vazhduan për inerci. Po tanimë efektet e pandemisë po ndjehen edhe në ekonominë gjermane ku kompanitë më të mëdha të automjeteve u mbyllën dhe rrjedhimisht punonjësit u dërguan në shtëpi.
“Kështu që nuk kishin nevojë as për veshje dhe as për maska. Gjermania është e paqartë për vete, nuk ka asgjë të sigurt për të na dhënë punë ne”- shprehet Zekja për gazetën “Si”.

Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se eksportet e mallrave në pesëmujorin e parë të vitit u ulën me 19,4%, kurse në maj 22,7%. Dhe eksporti i tekstileve ka qenë ai që ka ndikuar negativisht këtë drejtim të tregtisë së jashtme me -8% në maj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe në pesëmujorin e parë -10%,1%.

Zgjidhjet e propozuara në afatshkurtër dhe afatgjatë
Florian Zekja i Pro Eksport gjykon se zgjidhja e vetme e shpëtimit të sektorit fason është ndërtimi i fabrikave “Made in Albania” për lëndët e para.
Ky është një nga propozimet që do të detajohet në paketën që do ti propozohet shumë shpejt qeverisë për të nxjerrë sektorin fason nga falimentimi i sigurt.
Për Zekjën, zgjidhja e shpejtë është konvertimi i prodhimit të tekstileve në prodhime produktesh spitalore. Por kjo kërkon një kosto për makineritë që biznesi nuk i ka.
“Këtu hyn në lojë qeveri, e cila mund të financojë përmes “Fondi perduti”, para që nuk do ti marrë më mbarpsht, por garanton vazhdimësinë e një sektori që punëson 700 veta, që të mos i detyrojë ti drejtohen rajonit dhe më gjerë. Ne jemi bazuar përherë tek material porositësi. Duhet ta kemi të qartë që nëse nuk i jepet një ndihmë dhe nuk i jepet një program i qartë për të ardhmen për ta kthyer nga material porositës në prodhues “Made In Albania”, me cikël të mbyllur prodhimi e shoh shumë të afërt reduktimin apo qoftë edhe mbylljen e këtij biznesi.”- shpjegon Zekja.
Zgjidhja afatgjatë sqaron më tej Zekja për gazetën “Si”, pikë e rëndësishme e paketës së shpëtimit që do ti dorëzohet shumë shpejt qeverisë është prodhimi i lëndëve të para në Shqipëri.
“Ne sërish nuk mundemi të investojmë për mungesë likuiditeti sepse porositë janë me normë shumë të ulët fitimi që i përcakton çmimi në rajon dhe klienti ynë i huaj. Prandaj dhe ne kemi rroga të ulta të punonjësve, jo sepse duan. Nëse unë prodhoj lëndë të parë dhe e kam produktin tërësisht Made in Albania, e vendos vetë edhe çmimin edhe pagën. Shqipëria nuk prodhon as kopsa, as fije, asgjë. Turqia edhe pse nuk prodhon pambuk është përpunuesja më e madhe e tij në botë sepse është incentivuar nga qeveria. Prandaj nëse qeveria përmes fondeve rezervë ose projekteve të Komunitetit Europian për biznesin (fonde të cilat i falen biznesit), të cilat nuk janë shfrytëzuar asnjëherë, mund të na japë kapitalin fillestar për ndërtimin e fabrikave të prodhimit të lëndëve të para në qytete të ndryshme të vendit ku ka nevojë për zhvillim dhe ne garantojmë hapjen e vendeve të reja të punës”- sqaron Zekja.
Sipas tij, vetëm kjo është mënyra e shpëtimit të këtij sektori dhe të sigurohet vazhdimësia e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




